Të enjten e 27 qershorit, pasi takoi krerët e partive opozitare dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend, Ilir Meta firmosi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 13 tetor, dekret që u firmos vetëm 3 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Mazhoranca nuk e njohu dekretin duke e cilësuar si anti-kushtetues, as Partia Demokratike nuk e ka njohur këtë dekret, pasi shprehet se nuk do të ketë zgjedhje pa përmbushur kërkesat e saj.
Qëndrimi tjetër, që rrëzon Dekretin e Ilir Metës, është akti i mospublikimit të dekretit me numër ‘11 211’. Pra, Dekreti për zgjedhjet lokale të 13 tetorit nuk është botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Në sajtin zyrtar të Qendrës së Botimeve Zyrtare, gjatë muajit korrik janë botuar disa akte ligjore apo udhëzime, përfshirë dhe një dekret të Presidentit të Republikës për dhënien e shtetësisë, që mban datën 26.6.2019.
Sipas Nenit 10, pika 1, të Ligjit për funksionimin e Fletores Zyrtare, aktet zyrtare (ligje, dekrete, udhëzime etj), “Afati i botimit të akteve të botueshme është jo më vonë se 10 ditë nga data e ardhjes së aktit për botim”. Ky afat praktikisht ka kaluar, por nuk mund të thuhet me siguri se çfarë ka ndodhur.
Mos botimi në Fletoren Zyrtare të Dekretit të Metës mund të ketë shkaqe të ndryshme, përfshirë dhe atë të dërgimit jo në kohë të dekretit për botim nga Presidenca në Qendrën e Botimeve Zyrtare. Për të sqaruar këtë situatë, Realstory.al, i dërgoi një kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e informacionit, në lidhje me sqarimin e arsyeve për vonesën e publikimit të Dekretit të Presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor.
Kujtojmë se Dekreti i datës 10 qershor, për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, u botua dy ditë pasi ishte firmosur nga Presidenti. Gjithsesi, situata është ende e paqartë, dhe s`mund të spekulohet rreth saj, derisa të dalin arsyet pse ka ndodhur kjo vonesë për publikimin e dekretit Nr.11 211, të Presidentit të Republikës, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 13 tetor./Realstory.al/