Delegacioni i deputetëve belgë vizitojnë Prishtinën: Kosova duhet të jetë anëtare e Asamblesë së NATO

KOSOVA


Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë. Ata takuan kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, por edhe kolegët e tyre kosovarë.

Pas bisedave, ligjvënësit belg premtuan mbështetje ndaj Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike, por edhe për integritetin territorial të saj.


“Ka shumë tensione brenda Ballkanit, shumë tensione brenda vendit dhe mendoj se është një gjë e mirë që ne jemi këtu për të theksuar se Belgjika do të qëndrojë gjithmonë e fortë në anën tuaj, dhe gjithashtu kur flasim për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kosova mund të jetë dhe duhet të jetë anëtare. Një anëtare e asociuar që do të jetë një hap shumë i mirë përpara në kuadër të integrimit”, tha Theo Francken, kryesuesi i delegacionit parlamenti federal i Belgjikës në NATO.

Ai shtoi më tej se stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme për NATO-n. Ndërsa kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare në NATO, deputeti Driton Hyseni tha se janë të angazhuar për rritjen e prezencës së Kosovës në këtë institucion.

“Belgjika është pranë Kosovës dhe ka përkrahjen e saj. Këtë përkrahje e konfirmuan edhe tre deputetët e parlamentit të Belgjikës se do të jenë pranë Kosovës dhe aspiratave të popullit të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, për integrim në NATO dhe integrim në mekanizmat të tjerë të Bashkimit Evropian, me qëllim që Kosova mos të ndihet e lënë anash, por të jetë pjesë e familjes së vlerave të BE-së”, tha Driton Hyseni, deputet në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët belgë u takuan dhe me anëtar të Komisionit parlamentar për Siguri dhe Integrime Europiane.




Skip to toolbar