Delegacioni i OSBE “zbarkon” te Meta pa Borchardt

POLITIKË


Delegacioni i OSBE ka pranuar të shkojë në zyrën e Presidentit Meta, edhe pse ky i fundit nuk ka pranuar në Presidencë përfaqësuesin e tyre në Tiranë, Borchardt. Vetë Presidenti Meta ka njoftuar se ka pritur në takim delegacionin e OSBE, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella.

Ajo që bie në sy është fakti që delegacioni i OSBE ka pranuar të shkojë në takim pa përfaqësuesin e vet në Tiranë, ndërkohë që deri më tani, nga Prezenca e OSBE nuk ka pasur asnjë reagim mbi këtë vendim të kreut të shtetit. Një takim i tillë është i pazakontë në formën protokollare, pasi ai është prezent në çdo takim zyrtar që OSBE zhvillon me personalitet në vend.

Sa i përket protokollit, takimi ka qenë i organizuar më parë, por Meta ka zgjedhur ditën e takimit për të ndaluar Borchardt që të shkojë në Presidencë, duke vendosur edhe përfaqësuesit e lartë të OSBE për të marrë një vendim të shpejtë për takimin, pasi ata kishin mbërritur në Tiranë. Nuk dihet nëse vendimi i Metës është diskutuar me përfaqësuesit e OSBE, por ajo që bie vihet re në deklaratën e Metës për takimin është gjuha e fortë që ka përdorur në këmbënguljen e tij për reformën në drejtësi. “Duke iu përgjigjur interesimit për situatën politike në vend, Presidenti Meta theksoi me forcë domosdoshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi vetëm sipas Kushtetutës së miratuar me konsensus tre vite më parë”, deklaroi Presidenti Meta, duke treguar kështu se ai nuk tërhiqet nga bllokimet që ka bërë deri tani, ku përplasja e fundit ishte ajo për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa sot i ka ardhur një tjetër kritikë nga zëdhënësja e BE, Kociancic, e cila i sugjeroi Kuvendit që të kërkojë me urgjencë edhe një mendim të Komisionit të Venecias për interpretimin e cilësuar të papajtueshëm.



Skip to toolbar