Kushtetuesja, BE njeh afatin 30-ditor

#NËRADAR


Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Kocijancic, reagoi zyrtarisht në lidhje me ngërçin e krijuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri. Në një deklaratë të shpërndarë nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, BE i referohet Kushtetutës dhe legjislacionit të ndryshuar në vitin 2016, që përcakton qartë rolin e të gjitha institucioneve në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në deklaratën e Bashkimit Europian, theksohet fakti se ndryshimet ligjore dhe ato kushtetutese të vitit 2016, kanë parashikuar mekanizmin zhbllokues pas skadimit të afatit 30-ditor për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, si mjete për të forcuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

A duhet ndërruar Kushtetuta për të kufizuar Presidentin?

“Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e BE, duke lënë të kuptohet se njeh emërimin e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Pra, BE i referohet mekanizimit zhbllokues pas skadimit të afatit 30-ditor, që emëron automatikisht kandidatin e renditur të parin në listën e KED-s.


Më tej, Bashkimi Europian është  i prerë në qëndrimin e tij, duke u shprehur se: “Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës”, duke treguar indirekt Ilir Meta, me interpretimin për afatet për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese, ka vënë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës.  Ndonëse Bashkimi Europian  nuk bën komente lidhur me hapat e ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por apelon që konflikti të zgjidhet me urgjencë, për të siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk i takon Bashkimit Evropian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse. Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë zëdhënësja e BE-së.

Gjithashtu, Bashkimi Europian u kërkon palëve, që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, t`i drejtohen Komisionit të Venecias për mendim. “Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi”, përfundon deklarata e zëdhënëses të BE-së.




Skip to toolbar