Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar një ditë pas dhënies së dënimit ndaj tij duke e cilësuar atë të sforcuar dhe i ardhur nën shantazhe dhe kërcënime. Edhe pse lajmëroi se do të mbante të shtunën një deklaratë për mediat, ish ministri Tahiri ka folur për TVSH, duke thënë se gjykatësit u kërcënuar për të marrë një vendim të tillë.
“Vendimi ndaj meje ka qenë i sforcuar. Ky vendim u mor nën shantazh e kërcënime. Unë nuk merrem as me shantazhe dhe as me kërcënime. Nuk jam njeri i prapaskenave, sepse po të isha i tillë nuk do isha këtu ku jam e nuk do kisha arritur aty ku kam arritur”, deklaroi Tahiri.
I pyetur se a ndihej përgjegjës për kanabizimin e vendit, Tahiri theksoi se me këtë logjikë duhet të ishte në burg Koço Kokëdhima apo ministri aktual, për shkak se ka ende kanabis.
“Me këtë logjikë i bie që Koço Kokëdhima të ishte në burg që para tre vjetëve, i bie që Sali Berisha të ishte në burg që linte Lazaratin, i bie që ministri aktual i Brendshëm të jetë në burg se në Shqipëri ka kanabis. Unë rezervohem të flas për vendimin e Gjykatës pasi nuk e kam lexuar.” – tha Tahiri
Gjykata e Krimeve të Rënda, pas orëve të gjatë diskutimi, nxori verdiktin e saj përfundimtar duke dënuar ish ministrin Saimir Tahiri për shpërdorim detyre me 3.4 vite burg e konvertuar në shërbim prove. Gjykata hodhi poshtë akuzat për trafik droge apo pjesëmarrje në grup kriminal, për mungesë provash.