Rama: Diaspora tashmë pjesë e vendimmarrjes me votë, jemi kryelartë kudo

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se diaspora shqiptare është kthyer në zë që është pjesë e vendimmarrjes popullore për udhëheqjen e vendit.

Në sesionin e hapjes së Samitit IV të Diasporës, Rama solli në vëmendje kërkesën e kahershme të diasporës për të votuar nga jashtë atdheut, që tashmë është bërë realitet.

“Në samitin e parë të diasporës, kërkesa juaj e parë ishte e drejta e votës nga jashtë atdheut. Po kështu edhe në samitin e dytë dhe të tretë kërkesë themelore ishte nevoja për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot diaspora shqiptare vjen në këtë samit pasi ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet e vitit të shkuar.

“Nga një zë që kërkohej të dëgjohej, sot diaspora është kthyer në një zë që është pjesë e vendimmarrjes popullore për udhëheqjen e vendit. Atëherë shumë prej jush ishin shqiptarë që përballeshin me paragjykime. Sot ne jemi kryelartë kudo”, tha Rama.

Sipas tij, Shqipëria ka kaluar një transformim të thellë, ku nga sinonim i një të keqeje në sytë e të tjerëve, vendi është bërë sinonim i detit, i natyrës dhe njerëzve mikpritës.

“Nga një vend që përmendej me dyshim dhe përbuzje, Shqipëria sot është një vend që përmendet në rastin më të mirë me kuriozitet, edhe në rastin edhe më të mirë me dëshirë. Nga një emër që shpesh duhet shpjeguar se ku binte në hartën e botës, Shqipëria është një vend që flet vetë në të gjitha gjuhët e botës”, shtoi Rama.

Kryeministri u ndal te zhvillimi ekonomik i vendit, ndërsa theksoi se sot Shqipëria është shumë më ndryshe se më parë.

“E nisëm rrugëtimin tonë me PBB më pak 10 miliardë euro. Sot PBB është është 27 miliardë euro dhe në fund të kësaj synojmë ta çojmë në 35 miliardë euro. E nisëm me të ardhura për frymë më pak se 3 mijë euro, sot jemi mbi 11 mijë euro në vit dhe në vitin 2030 do të jemi mbi 15 mijë euro në vit. E nisëm me mbi 2 milionë turistë, ku edhe paraardhësi im e numëronte veten si turistë sa herë kthehej nga udhëtimet e punës jashtë shtetit. Në atë kohë Shqipëria kishte 300-400 milionë euro investime të huaja. Sot Shqipëria ka 12 milionë turistë dhe kaloi 1.6 miliard euro investime të huaja në vit”, shtoi Rama.



Skip to toolbar