Deputeti i PD në parlament: Basha-Rama, gati për marrëveshje okulte!

AKTUALITET


Alban Zeneli, deputeti demokrat i opozitës parlamentare thotë se ka informacion se Basha dhe Rama janë gati për të bërë një “marrëveshje okulte, në dëm të shqiptarëve”.

Zeneli ka deklaruar se PS mund ta bëjë reformën zgjedhore me opozitën parlamentare, por ndërkohë i shtrin dorën opozitës jashtëparlamentare, vetëm për të bërë marrëveshje në dëm të shqiptarëve.

“Unë jam skeptik për diçka, që PS i ka votat bashkë me opozitën e re për ta bërë atë reformë, por mund t’i shtrijë dorën opozitës jashtë. Ata e kanë shtrirë dorën shpesh, po vetëm për t’i bërë dëme shqiptarëve, sepse nuk ka ndryshuar asgjë. Kanë bërë paqe apo luftë vetëm për interesat e tyre dhe kanë bërë marrëveshje okulte, sepse nuk kanë ndryshuar asgjë. Dhe unë kam frikë, dhe nga informacionet që kam, edhe me drejtues të mazhorancës, ideja e tyre është për të bërë sërish një marrëveshje okulte. Kjo nuk duhet të ndodhë, pasi kriza 30-vjeçare do të thellohet”, tha Zeneli në një intervistë për News 24.

Më tej, ai theksoi se Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi janë të rëndësishme, ndërsa shtoi se opozita e re nuk është fasadë e askujt.

“Reforma Zgjedhore është shumë e rëndësishme. Reformat do bëjnë të mundur se këta njerëz që 30 vite nuk janë përballur me drejtësinë, do të duhet të japin llogari. SHBA dhe BE janë të fokusuar te Reforma në Drejtësi. Ne nuk jemi fasadë e askujt. Votat e opozitës parlamentare kanë qenë në unison në mbështetje të Reformës në Drejtësi, si kërkesë e SHBA-BE, por edhe e gjithë shqiptarëve.

Opozita braktisi Parlamentin dhe u zëvendësua. Në sesionin e ri, opozita në Kuvend do bëjë opozitë më të fortë dhe substanciale. Aksioni jonë politik parësor është Reforma Zgjedhore, e kërkuar nga të gjithë ne në unison. Mbështetja e faktorit ndërkombëtar do të jetë shumë dominant. Ky sistem i kalbur do të ndryshojë. Nëse nuk do të realizohet kjo reformë zgjedhore, e vetmja gjë që i ndryshon jetën shqiptarëve është vota e lirë dhe për këtë votë ne do dalim të gjithë së bashku, pa parti”, u shpreh deputeti.

Një ditë më herët kryeministri Rama ndërsa komentoi gjetjet e raportit të OSBE-ODIHR-it, i shtriu dorën për dialog dhe bashkëpunim opozitës jashtëparlamentare për të hartuar së bashku reformën e  re zgjedhore. Nga ana e tij, Basha, e refuzoi këtë ftesë të Ramës dhe përsëriti kërkesën për largimin e tij nga pushteti. Basha gjithashtu theksoi se vendi ka nevojë për një reformë të madhe politike dhe elektorale dhe se opozita do të prezantojë një platformë kombëtare./realstory.al



Skip to toolbar