Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Hermes Nikajn, i njohur ndryshe me pseudonimin “Zogu i Tironës”, i cili u arrestua me akuzën e ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Vendimi i gjykatës u mor pas dëshmisë së dhënë nga shtetasi tjetër i arrestuar në hotel natën e 24 nëntorit. Bëhet fjalë për Artur Gjinin, banues në Mamurras, i cili tha se kishte paguar para për të kryer seks me Denisa Nelin dhe Hermes Nikajn.
Dëshmia e Gjinit se me Nikajn dhe Nelin do të kryente seks me pagesë bëri që gjykata të vendoste të linte në burg “Zogun e Tironës”, megjithëse ai në sallën e gjyqit kërkoi që të lihej i lirë duke thënë se në asnjë rast vajzat nuk shkonin të detyruara por me dëshirën e tyre.
Hermes Nikaj u arrestua bashkë me tre persona të tjerë pas një hetimi për shfrytëzim dhe ushtrim prostitucioni në qendrat estetike dhe klubet e natës. Në momentin e arrestimit Nikaj ishte në një dhomë hoteli në autostradë me Artur Gjinin nga Mamurrasi.