Megjithëse u përpoq të ndalte lëvizjen “Basha ik” dhe të mbante afër kryebashkiakët e mbetur pa asnjë pushtet pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duket se kreu i PD-së nuk ia doli dot. Fushata që Basha ndërmori në strukturat e PD-së në disa qytete, për të mbrojtur veten nga të vetët, dështoi. Kryebashkiakët nuk i përtypën më premtimet e pambajtura të kreut të partisë, i cili 5 muaj para 30 qershorit i premtoi se s’do të kishte zgjedhje dhe se edhe nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin ato nuk do të njiheshin nga ndërkombëtarët. Ndërsa fill pas 30 qershorit u premtoi s’e askush nuk do të dilte nga zyra dhe se zyrat e kryebashkiakëve të djathtë do të mbroheshin përmes protestave popullore. Madje shpërndau dhe një dokument përmes të cilit urdhëronte mbrojtjen me çdo kusht e mjet të bashkive të djathta. Por asnjë nga këto premtime nuk u mbajtën dhe kryebashkiakët e djathtë e kuptuan se përgjegjës për situatën është kryetari i PD-së Basha.
Ata tani kanë ngritur zërin. Nuk i janë bindur urdhrave për protesta me dhunë për mbrojtjen e bashkive. Gjatë të martës zyrën e liruan në paqe si kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj ashtu edhe kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj i cili ka shprehur hapur zhgënjimin ndaj Bashës dhe faktit se nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Madje Frrokaj ka testuar sërish kreun e PD-së, teksa ka thënë se mbetet ende në pritje të një Plani B nga Basha.
“Sa i përket protestave, nuk kam ndërmend të bëj protesta. Edhe më herët kam deklaruar se jam munduar të jem kryetar si për të majtë dhe të djathtë. Kam 16 vite dhe nuk i baltos, nuk kam ndërmend të nxis turma të ekzaltuar kundër këtij apo atij. Unë jo rrallë herë e them, që nuk është braktisje e shqiptarëve, nuk është qameti që humbëm ca bashki. Ajo që është skandaloze është humbja e këshillave, që është më shumë sesa humbja e kryetarëve. Në shumë bashki, ne nuk e kemi pasur kryetarin, por qytetarët kanë pasur përfaqësi në këshill. Tashmë ne nuk kemi përfaqësi dhe kjo është skandaloze. Gjithsesi nuk është vendim që varet nga unë, por është vendim që varet nga strukturat e PD”, është shprehur Frrokaj.
Të mbetur vetëm dhe të braktisur nga lidershipi i PD-së, kryebashkiakët e djathtë ia drejtojnë gishtin Bashës. Ky i fundit ka ndërruar komplet qëndrim. Ka hequr dorë nga bashkitë duke i braktisur kryebashkiakët dhe tani merret me akuzat ndaj Ramës, duke harruar premtimet ndaj të vetëve.
Braktisja u vu re sidomos në Kamzë, ku Mziu, pavarësisht se nuk e lëshoi bashkinë fillimisht, duke tentuar ta mbajë me punonjësit e vet, pas orarit zyrtar u tërhoq, pasi nuk pati asnjë mbështetje nga selia blu. Duket se pjesë e lëvizjes Basha ik do të jenë së shpejti edhe kryebashkiakët e djathtë të braktisur nga Basha dhe të nxjerrë në rrugë./Realstory.al