Detajet e reja nga atentati i ndodhur në fshatin Balldren të Lezhës, ditën e djeshme më 26 prill, hedhin dritë mbi mënyrën si është organizuar dhe zbatuar krimi i rëndë ku u ekzekutua çifti i bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, 39 dhe 32 vjeçe.
Ssipas burimeve nga grupi hetimor, në atentat janë përdorur dy makina. Një prej tyre ka pasur rolin e pritës, duke i prerë rrugën automjetit tip Audi A7 ku udhëtonin viktimat, ndërsa makina tjetër është përdorur nga atentatorët për të kryer sulmin.
Dy persona të armatosur kanë zbritur nga mjeti dhe kanë hapur zjarr në drejtim të makinës së viktimave, duke zbrazur mbi 30 plumba. Sulmi ka qenë i shpejtë dhe i mirëorganizuar, duke mos u lënë asnjë mundësi reagimi viktimave.
Pas krimit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, por deri në këto momente nuk ka ende asnjë autor të dyshuar të identifikuar. Hetimet vijojnë dhe janë fokusuar në disa pista, përfshirë konflikte të mundshme të mëparshme.
Klan News ka mësuar se Mujeci, së bashku me dy vëllezërit e tij, L.Mujeci dhe J.Mujeci, dyshohen për vrasjen e Gegë Mëhilli, i njohur dhe si Gent Mëhilli, më 6 tetor 2016. Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Shkodër- Velipojë, pranë vendit të njohur si Mali i Jushit.
J.Mujeci, së bashku me vëllezërit e tij, i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin Mëhilli transportonte miell. Kur ai braktisi automjetin dhe tentoi të largohej përmes fushave, vëllezërit hapën zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. Shkak për ngjarjen, ishte bërë një konflikt mes viktimës dhe vëllezërve një ditë më parë.
Gjykata e Shkodrës e kishte shpallur të pafajshëm Kreshnik Mujecin dhe vëllanë e tij, L.M, për akuzën e vrasjes së Genc Mhillaj në vitin 2016, për shkak të mungesës së provave.
Ky vendim është mbajtur pas një periudhe gjyqësore të gjatë, ku më parë Gjykata e Apelit të Shkodrës nuk pranoi ankimin e prokurorisë. Megjithatë, çështja u rikthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë më 31 tetor 2024.
