Detajet, përplasja me armë në Lezhë, mes pronarëve të bizneseve

AKTUALITET


Përplasja me armë zjarri, ndodhur mbrëmjen e të martës në qytetin e Lezhës, ka si motiv konfliktet e biznesit. Dy të përfshirët në ngjarje, Ardian Kola dhe Aleksandër Dedgjonaj njiheshin me njëri-tjetrin pasi kishin bizneset e tyre pranë, dhe kjo sipas policisë, mendohet të ketë qenë edhe burimi i konfliktit të tyre që degjeneroi deri  në përdorimin e armëve të zjarrit.


Konflikti nisi fillimisht me përplasje fizike mes tyre dhe më pas Aleksandër Dedgjonaj ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në këmbë Ardian Kolën. Pas plagosjes, autori është larguar nga vendi i  ngjarjes me makinën e tij.

37-vjeçari është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës, ndërsa gjendja e tij nuk është kritike, pasi fatmirësisht ka marrë plagë të lehta.

Autori i ngjarjes, Aleksandër Dedgjonaj, ka në pronësinë e tij një dyqan celularësh, ndërsa i plagosuri ka një biznes që jep makina me qira. Dyshohet se sherri mes tyre ka nisur për motive të dobëta. Ardian Kola ka shkuar në dyqanin e Aleksandër Dedgjonaj për të blerë një karikues telefoni, por kur ka konstatuar që nuk punonte ka shkuar për t’ia kthyer. Më pas ato janë konfliktuar fizikisht, ku Dedgjonaj ka përdorur edhe armën.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit, i cili ndodhet ende në arrati.