Lufta me Rusinë e ka ndryshuar mënyrën se si nxënësit ukrainas studiojnë në shkolla.
Ata kaluan ditën e parë në klasë më 1 shtator duke mësuar se si të përdorin dronët pa pilot (UAV), siç shihet në fotot e publikuara nga kryebashkiaku i Lviv, Andriy Sadovyi.
Mësimet e përdorimit të dronëve janë tani pjesë e kurrikulës shkollore për disa nxënës në klasat “Mbrojtja e Ukrainës”. Sipas Sadoyvi, formati aktualisht është duke u testuar dhe mund të shtrihet në të gjitha shkollat në të ardhmen.
“Ka edhe më shumë për të ardhur. Besoj se nxënësit e sotëm nuk do të duhet të luftojnë të keqen. Por përvoja tregon se është më mirë të përgatitemi,” shkroi kryebashkiaku.
Mësimet e përfshira në klasat “Mbrojtja e Ukrainës” përfshijnë ndihmën e parë, ndërgjegjësimin dhe sigurinë ndaj minave, orientimin dhe udhëzimet e përdorimit të dronëve sipas një zëdhënësi të qeverisë ukrainase.
Programi u lançua nga Ministri i Arsimit i Ukrainës, Oksen Lisovyi, më 2 gusht 2023. Nxënësit anembanë u kthyen në shkollë më 1 shtator, e njohur si Dita e Dijes në Ukrainë.