Dita e Verës në Tiranë/ Aktivitete dhe festë, panaire dhe muzikë në sheshe

AKTUALITET


Tirana është kthyer në një qendër festimesh për Ditën e Verës.

Në këtë ditë me diell, qytetarët e Tiranës u janë bashkuar festimeve të Ditës së Verës, ndërkohë që bashkia ka organizuar aktivitete të ndryshme.

Në sheshin Skënderbej u ekspozua një koleksion automjetesh Retro, por edhe tanke. Qytetarë të moshave të ndryshme përcollën me kuriozitet këto mjete që jo shpesh i gjen në rrugët tona.

Fëmijët janë ata që po e shijojnë më tepër ardhjen e pranverës, simbolikën e kësaj feste.

Kalendari me shumëllojshmëri aktivitetesh, duke filluar nga koncertet, ekspozitat dhe shfaqjet kulturore u mirëpritën nga të gjithë qytetarët.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha në ABC News se njerëzit janë kartolina më e bukur e qytetit në këtë ditë.

“Sot e kam nisur ditën me një skuadër prej 17 gazetarësh nga vende të ndryshme të Evropës. Sigurisht që koiçidenca me Ditën e Verës ishte një koiçidencë shumë e bukur. Më bëri të ndihem krenar për faktin që qyteti është pjekur. Është rritur shumë edhe mentaliteti i njerëzve. Fakti që ti mund të bësh maratonë në Tiranë dhe ne do të bashkëpunojmë për këtë ditë, mund të bëjmë ditë pa makina, mund të bëjmë ditë vere, qytetarët sillen si qytetarët më të mirë që mund të ketë sot Bashkimi Evropian, më bën të ndihem krenar për faktin që ne tashmë jemi evropianë, është vetëm çështje kohe sa të bëjmë letrat, si ajo puna, ne shtëpinë e kemi, sa të bëjmë letrat e legalizimit. Besoj shumë fort që kartolina më e bukur e Tiranës janë njerëzit. Asetet shkojnë e vijnë. Njerëzit janë pasuria më e madhe. Vitin tjetër do të jemi kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, këto aktivitete bëhen për të sjellë biznes, reputacion, për të rritur vlerën e pronës, që ky zhvillim ekonomik të shpërndahet te të gjithë”./abcnews.al



Skip to toolbar