Vetëm një ditë para festës kombëtare të Pavarësisë, Shqipëria dhe Kosova kanë shpallur 1 ditë zie për pasojat tragjike të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin tonë. Të gjitha institucionet shqiptare kanë ulur flamurin kombëtar në gjysmështizë, ndërkohë që sipas shifrave deri mëngjesin e së mërkurës ka shkuar në 26 numri i viktimave, 45 persona janë nxjerrë gjallë nga rrënojat dhe 657 persona kanë mbetur të lënduar.
“Kjo ditë zie, duke qenë se pararend dy ditët e festave kombëtare, na e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë se sa një ditë zie. Do kishim dashur të ishin 3 ditë zie, duke pasur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të kësaj tragjedie, që deri në momentin që flasim ka marrë 24 jetë njerëzish”, u shpreh Rama.
Po ashtu, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpall ditën e mërkurë ditë zie në Kosovë në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë “Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidentit Thaçi.
Edhe në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO, u vendos që të ulet në gjysmështizë flamuri shqiptar në nderim të tragjedisë së tërmetit. Me anë të një reagimi në Twitter, NATO u shpreh se: “Flamuri i aleatëve tanë, Shqipërisë dhe Francës, u ulën në gjysmështizë në selinë e NATO, pas tërmetit që goditi Shqipërinë dhe në solidaritet me ushtarët francez të rënë në Mali”.