Djegia e mandateve, Berisha merr autorësinë dhe sulmon ndërkombëtarët

AKTUALITET


Ish kryetari i PD-së, Sali Berisha ka pranuar se ideja për të djegur mandatet e deputetëve të opozitës ka qenë e tij. Ky akt i opozitës është kundërshtuar dhe është dënuar nga shumë figura me kontribute në PD, duke nisur që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edvin Kulluri etj, që të gjithë kanë sulmuar hapur Bashën për këtë nismë që nxorri PD-në jashtë parlamentit. Madje vetëm një ditë më herët Topalli ndërsa dënonte vendimin e djegies së mandateve kërkonte largimin nga politika të “4 shahistëve” për të cilën realstory.al ngriti pyetjen: mos është Berisha një prej tyre? Por ka qenë vetë ish kreu i PD-së që merr autorësinë e këtij akti, ndërsa ka sulmuar hapur edhe ndërkombëtarët.

I pyetur nëse ka qenë ai i pari që ka propozuar djegien e mandateve, Berisha është shprehur:

“E kam bërë kur u bë zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm sepse pashë që u shkel çdo parim. Pashë që u shkel edhe nga ndërkombëtarët. Nuk mund të pranoj kurrë ndërhyrjen e tyre me pasoja shumë të rënda. Çdo gjë e mirë që arrihet në këtë vend. Basha pa diskutim ka mbështetjen, ndihmën fisnike e bujare të ndërkombëtareve. Suksesi dhe ndëshkimi në Shqipëri lidhet me drejtuesit shqiptarë. Por a kanë ndikuar ndërkombëtarët? Në mënyrë të padiskutueshme. Si në të gjithë Ballkanin. Nga masakra e Sarajevës deri te zgjedhja e Arta Markut, ka qenë dorë ose gabimi i ndërkombëtarëve”, deklaroi Berisha në një intervistë në Syri.net.

Bie në sy se sulmi i Berishës ndaj ndërkombëtarëve është njëlloj si ai i Metës ndaj tyre. Edhe presidenti në shumë deklarata ka sulmuar “gjetjen” e ndërkombëtarëve për zgjedhjen e prokurores së përgjithshme të përkohëshme dhe disa propozime të tjera për anëtarët e Gjykatës së Lartë që anashkalojnë rolin e presidentit, duke i cilësuar ato si kapje pushteti.

Berisha gjithashtu ka sulmuar edhe procesin e vettingut që është vlerësuar gjërësisht nga ndërkombëtarët, por ai thotë se edhe ky proces është i kapur nga Rama. Sipas ish-kryeministrit njerëzit e emëruar në krye të vettingut janë militantë të Ramës.

“Vetingun e udhëheq një mafioz si Don Agaçi. Këdo që nuk do Edi Rama ai ka detyrë ta rrëzojë. Dy anëtarët e vettingut bënë ligje përcaktuan rroga për veten e tyre. Sot bundestagu thotë që kërkohen dy gjykatat që të hapen negociatat. Nuk ka qenë kurrë Fehmi Abdiu më militant se Dritan Hallunaj, nuk ka qenë kurrë Thimio Kondi, ministër i tyre, më militant si Ardian Dvorani. Një nga faktorët kryesorë që nuk hapen negociatat janë dy gjykatat”, tha Berisha.

Ish kryeministri sulmoi hapur edhe kreun e OSBE Borchard dhe përpjekjen e tij për të ulur palët në një tryezë dialogu për reformën zgjedhore. Sipas tij, ftesa që ambasadori i OSBE i bëri opozitës nuk duhet të mbante firmën e bashkëkryetarit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri, duke e akuzuar se Borchardt është rreshtuar në krah të socialistëve. “Nëse ambasadori i OSBE-së ftoi opozitën, ftesë mbi ftesë bëri Rama, ajo ishte me bisht. Ftesa e Ramës ishte një bisht. Opozita i është përgjigjur në radhë të parë raportit të OSBE-ODIHR me ftesë të OSBE-së, por edhe partnerë të tjerë kanë inkurajuar opozitën që të angazhohen në këtë proces. Brochard ka qenë ambasador i Gjermanisë këtu kur unë isha kryeministër dhe këtë periudhë një sërë projektesh gjermane janë zbatuar. Të hysh në bindjet e tij të majtë apo qendrës së djathtë. Bëri shumë mirë që ftoi, por në ftesën e tij vuri edhe emra të shqiptarëve, duke thyer protokoll. Imagjino firma e ambasadorit me firmën e kriminelit elektoral. Kaq të forta i ka sentimentet për socialistët saqë bëri diçka që nuk e ka bërë kurrë. Në vlerësimin tim ky është një akt i padenjë”, u shpreh Berisha.

Ndryshe nga Basha që po përpiqet të futet në rrugën e dialogut dhe institucioneve ish kryeministri vijon të bëjë thirrje për mosbindje civile dhe protesta të fuqishme.

 “Unë mendoj se shqiptarët janë të ngritur dhe unë pres ndryshime të fuqishme. Pakënaqësia ndaj Edi Ramës është në rritje dhe shumë e madhe. Ajo pakënaqësi do shpërthejë. Opozita do jetë në krye të saj, këtu nuk mund të marrim periudha të përkohshme. Edi Rama do largohet në mënyrën më të sigurt me faqen e zezë për ato që i ka bërë Shqipërisë. Zoti Rama do largohet me bisht në shalë. Vala tjetër e protestave gjigante do ta detyrojë Ramën të kërkoj azil politik. Nëse hapen manualet e mosbindjes civile janë të përshkruara me dhjetëra metoda nga të cilat nuk ka diktator e klan mafioz që iu reziston, ato janë shkatërrimtare. Këto do ndodhin shumë shpejt. Shqiptarët mezi presin. Rama do largohet para zgjedhjeve me azil politik”, u shpreh Berisha./realstory.al



Skip to toolbar