Deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare kanë firmosur shkresën zyrtare, ku i kërkojnë Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror të jap informacion në lidhje me deklaratat e bëra nga Ilir Meta se do të digjej Kuvendi gjatë protestave të opozitës.
Në shkresën, e publikuar nga Javanews, që mban datën 10 shtator, 9 deputetët e Komisionit të Sigurisë kanë firmosur kërkesën për thirrjen e Elidion Bendos për të dhënë informacion përpara këtij komisioni, ndërsa nuk parashikohet data dhe ora e paraqitjes në Kuvend. Megjithatë, pritet që pas kësaj kërkese, kreu i SHISH të paraqitet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të folur rreth deklaratave të presidentit.
Kërkesa është ngritur nga deputeti i maxhorancës në Komisionin e Sigurisë, Xhemal Qefalia, i cili tha se ka aludime që janë identifikuar personat që do të ndërmerrnin aktin duke shfrytëzuar protestën e opozitës më 8 qershor.
“Duke përfituar nga prezenca e Komisionit, shpreh një shqetësim që dje e kam ndjekur në media nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili ka sjellë në vëmendje të Komisionit Hetimor, por edhe të opinionit publik një informacion për djegien e Kuvendit nga persona të veçantë. Bashkë me kolegun Vorpsi, i kemi përgatitur kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror një kërkesë për të na informuar rreth këtij informacioni që disponon Presidenti”, tha Qefalia.