“Do digjej Parlamenti”, Kuvendi kërkon informacion nga kreu i SHISH

Deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare kanë firmosur shkresën zyrtare, ku i kërkojnë Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror të jap informacion në lidhje me deklaratat e bëra nga Ilir Meta se do të digjej Kuvendi gjatë protestave të opozitës.

Në shkresën, e publikuar nga Javanews, që mban datën 10 shtator, 9 deputetët e Komisionit të Sigurisë kanë firmosur kërkesën për thirrjen e Elidion Bendos për të dhënë informacion përpara këtij komisioni, ndërsa nuk parashikohet data dhe ora e paraqitjes në Kuvend. Megjithatë, pritet që pas kësaj kërkese, kreu i SHISH të paraqitet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të folur rreth deklaratave të presidentit.

Kërkesa është ngritur nga deputeti i maxhorancës në Komisionin e Sigurisë, Xhemal Qefalia, i cili tha se ka aludime që janë identifikuar personat që do të ndërmerrnin aktin duke shfrytëzuar protestën e opozitës më 8 qershor.

“Duke përfituar nga prezenca e Komisionit, shpreh një shqetësim që dje e kam ndjekur në media nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili ka sjellë në vëmendje të Komisionit Hetimor, por edhe të opinionit publik një informacion për djegien e Kuvendit nga persona të veçantë. Bashkë me kolegun Vorpsi, i kemi përgatitur kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror një kërkesë për të na informuar rreth këtij informacioni që disponon Presidenti”, tha Qefalia.

Raporti i SHISH: Rama e Meta morën 521 informacione sekrete gjatë 2018-ës

Për herë të parë në histori, Shërbimi Informativ Shtetëror ka publikuar një raport mbi punën e tij që e ka bërë publik dhe të aksesueshëm për të gjithë në faqen e tij zyrtare në internet. Në raport përmblidhet puna e bërë nga SHISH ndër vite, drejtuesit e SHISH dhe mënyra e funksionimit të institucionit por jepen edhe disa të dhëna interesante. Kështu gjatë vitit 2018 në raport bëhet e ditur se kryeministri Rama e presidenti Meta kanë marrë gjithsej 521 informacione sekrete, një shifër kjo dyfish më e lartë se ajo e një viti më parë.

“Për 2018-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 3601 informacione për klientët brenda e jashtë vendit. Për  klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me: – 521 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit. – 302 informacione për ministritë e linjës.  1099 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit”, shkruhet në raport.

Ndërsa gjatë vitit 2017 Rama e Meta morën gjithsej 267 informacione sekrete nga SHISH. Përveç numrit në raport nuk bëhet e ditur se për çfarë informacionesh bëhet fjalë, por sigurisht që përmbajtja e informacionit është sekret shtetëror dhe kjo nuk mund të bëhet publike.

Në raportin e SHISH bëhet e ditur se gjatë vitit 2018,  5015 persona kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me Certifikatë të Sigurimit. Pajisja me këtë certifikatë lejon njohjen e personave në fjalë me informacion të klasifikuar sekret shtetëror në nivele të ndryshme. SHISH njofton se këto kërkesa kan ardhur nga një varg institucionesh. Mbështetur në informacionet e mbledhura, SHISH-i ka hartuar 3588 praktika dhe, në disa raste, ka kthyer përgjigje negative për vitin 2018.

Teknikat e Përgjimit

Sapo përmendet SHISH, të gjithëve u shkon mendja te përgjimet. Por në raportin vjetor të publikuar së fundmi, Shërbimi u ka dhënë një përgjigje të gjithëve, duke deklaruar se në asnjë rast nuk ka përgjime jashtë kuadrit ligjor.

Sipas raportit, përgjimi i komunikimeve elektronike mbështetet në ligjin nr. 9157, datë 4. 12. 2003. “Ligji përcakton procedurat që ndiqen për përgjimin e komunikimeve elektronike nga institucione shtetërore informative të krijuara me ligj për realizimin e detyrave të tyre, si dhe procedurat që ndiqen nga personat e ngarkuar për përgjim.

Parimet bazë për përgjimin e komunikimeve elektronike janë respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, nevojshmëria dhe proporcionaliteti, sekreti dhe objektiviteti në kryerjen e tij. Asnjë institucion publik, të cilit i lejon ligji përgjimin e komunikimeve, nuk mund të paraqesë kërkesa të tilla për çështje apo veprimtari të papërcaktuara nga ligji si fusha të detyrave apo veprimtarisë së tyre gjurmuese.

“Miratimi/refuzimi i kërkesës për përgjimin e komunikimeve elektronike kryhet nga Prokurori i Përgjithshëm, ose prokurori i autorizuar prej tij”, thuhet në dokument. Sipas raportit, të drejtën për të dhënë autorizime për përgjime do e ketë Gjykata e Posaçme e Apelit.

 “Me krijimin e Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkesa për përgjim depozitohet pranë Kryetarit të Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhënia e së drejtës për përgjim, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim, miratohet ose refuzohet nga Kryetari i Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose nga zëvendëskryetari i saj”, thuhet në raport.

Sipas SHISH, asnjë qytetar në Republikën e Shqipërisë nuk mund të jetë objekt përgjimi i komunikimeve elektronike, pa miratim nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Realstory

Skip to toolbar