“Të jemi bashkë…”, Rama zbulon mesazhin për Bashën

AKTUALITET


Kryeministri Rama thotë se i ka dërguar një mesazh kreut të PD-së Lulzim Basha fill pas tërmetit të 26 nëntorit, përmes të cilit i ka kërkuar që të bëhen bashkë për përballimin dhe menaxhimin e situatës. Rama thotë se ky ka qenë komunikimi i tij i fundit, që nga koha kur PD ishte në Kuvend, por gjithsesi shpreh bindjen se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, pasi e ka kuptuar tashmë se bojkoti ishte vetëvrasje politike.

“Nuk ka pasur asnjë sms (në shkurt). Unë i kam çuar një mesazh (Bashës) në ditët pas tërmetit për t’i kërkuar…sugjeruar që të jemi bashkë, dhe kaq. Komunikimi i fundit me të ka qenë kur PD ka qenë ende në parlament”, pohoi Rama.


“Unë shpresoj që gjërat të ndryshojnë. Në këndvështrimin tim kanë filluar të ndryshojnë. Se me sa duket ka rënë teza që o ik o s’ka dhe s’kemi punë me institucionet dhe me procesin demokratik brenda institucioneve. Mendoj se opozita do marrë pjesë në zgjedhje, nuk ma ha mendja që do kemi parti politike që do të lëshojnë territorin pa luftë politike ose që do tentojnë ta lëshojnë betejën në fushën e përplasjeve e me kërkesa anti-demokratike”, tha Rama në një intervistë për emisionin Java në TVSH.

Përballë gjykimit të kritikëve se ishte ai personi që e shtyu opozitën drejt vetëvrasjes politike, shefi i mazhorancës tha se opozita shkoi drejt kësaj rruge për shkak se i mungon largpamësia.

“Unë nuk kam detyrë të ndihmoj opozitën të bëhet më e fortë as që të jetë më e gatshme për të fituar zgjedhjet. Kam detyrën që në këtë sfidë me opozitën të bëj atë që është e mundur që opozita të dobësohet, natyrisht duke respektuar rregullat dhe duke ndjekur parimet e lojës demokratike pa përdorur pushtetin për ta tkurrur, intimiduar, për ta vendosur opozitën në pozitë të vështirë. Se opozita shkon drejt vetëvrasjes si rezultat i mungesës së një largpamësie strategjike, nuk më bën autor i kësaj vendimmarrje, dhe as më bën të ndihem i keqardhur. Kësaj opozite nëse i ka munguar diçka, s’ka qenë si rezultat i ushtrimit të pushtetit, por i ka munguar mendja për të pasur një skuadër dhe lidership të fortë”, tha Rama.




Skip to toolbar