Neritan Ceka nuk i ndal sulmohet jo vetëm kundër Ramës, por këtë herë edhe kundër ndërkombëtarëve dhe konkretisht kundër ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Borchard. Ndërsa ka komentuar zgjedhjet në Kosovë, Ceka ka thënë se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova. Ai më pas ka shtuar se në Kosovë ndërkombëtarët janë më të përgjegjshëm se në Shqipëri. Duke iu referuar sulmit me bojë që iu bë banesës së ambasadorit të OSBE në Tiranë disa muaj më herët, Ceka tha se do t’i puthtë dorën asaj vajzës që ka shkruar për ambasadorin “Shame on you” (turp të kesh). Sulm ky që u dënua ashpër si nga faktori politik shqiptar ashtu edhe nga ndërkombëtarët, por Ceka vijon ta vlerësojë.
“Jemi akoma në kohën e gëzimit. Shqipërinë e ka bërë Kosova. Jemi një vend që kërkon shkatërrimin e qytetarëve, gjë që nuk ndodh në Kosovë. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa…a mund ta bëjmë Shqipërinë si Kosova, moralisht është më e mirë se ne. Si qytetar, si votohet, si përgatiten zgjedhjen, jo si këta që çojnë bandat. Sa të jetë OSBE-ja që kemi këtu nuk ka zgjedhje të lira këtu. Për sa kohë të që ai të ulet në tryezë me një kryebandit, ai nënkupton se këtu s’ka zgjedhje të lira. Dua ta takoj atë gocën që ka shkruar “Shame on you” t’i puth dorën, se s’ka burra Shqipëria. I kam puth dorën Kryemadhit që e goditi Ramën me çizme. I kam thënë me cilën dorë e qëllove dhe i putha dorën”, tha Ceka.
Kohët e fundit përmes deklaratave të tij, veçanërisht mallkimit të bujshëm që bëri për zgjedhjet e 30 qershorit kur tha se “iu thaftë dora shqiptarëve që votojnë”, Ceka është kthyer në personazhin më të dashur të faqeve në rrjet që bëjnë meme.