Presidenti Ilir Meta do të jetë të hënën i pranishëm në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij. Komisioni Hetimor i ka dërguar kreut të shtetit kërkesën që të jetë i pranishëm në mbledhjen e së hënës datë 9 shtator në orën 10. Ndërkohë që vetë presidenti vetëm dy ditë më herët e cilësoi “çmenduri” pyetjen e gazetarëve nëse ai do të jetë ose jo i pranishëm në Kuvend, ndërsa theksoi se “mezi pret të kthehet në parlament”. Një deklaratë kjo me shumë nënkuptime.
Gjithsesi duket se e hëna do të jetë vendimtare për presidentin Meta, edhe për faktin se të hënën në Tiranë zbarkojnë ekspertët e Komisionit të Venecias të thirrur nga Kuvendi për të dhënë ekspertizën e tyre për kërkesën për shkarkimin e presidentit. Duhet thënë se është hera e parë në histori që parlamenti i Shqipërisë ndërmerr nismën për të shkarkuar një president për shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Në axhendë është parashikuar që ekspertët e Komisionit të Venecias të zhvillojnë disa takime. Fillimisht me presidentin Meta, për të vijuar më pas me takimet e tjera zyrtare; me krye parlamentarin Gramoz Ruçi; përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Parlament, përfshirë Komisionin e Posaçëm Hetimor, Ministrin e Brendshëm, përfaqësues të KQZ-së dhe kryetarin në detyrë të Gjykatës Kushtetuese.
Para se të vendosë për shkarkimin e presidentit, maxhoranca do të presë raportin paraprak të Komisionit të Venecias. Pritet që ky komision do ta ketë të lehtë të japë një opinion të shpejtë, pasi nuk mungon precedenti. Komisioni i Venecias për një çështje të ngjashme kohë më parë kur qeveria moldave pati një përplasje me presidentit e vendit, u shpreh me një opinion i cili vlejti për të shkarkuar presidentin e Moldavisë për shkelje kushtetuese.
Nga ana tjetër mësohet se presidenti Meta do ta shfrytëzojë përballjen e tij me deputetët në Kuvend për të dhënë mesazhe të koduara ndaj Ramës dhe Bashës, ndërsa do të japë material të bollshëm për mediat. Kohët e fundit ai ka treguar se i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjen mediatike dhe për këtë ka shfrytëzuar çdo hapësirë që mundësojnë rrjetet sociale.
Pasi të marrë dëshminë e presidentit, Komisioni Hetimor do të vijojë me dëshmitarët e tjerë sipas planit të hartuar dhe miratuar në mbledhjet e mëparshme. Ndërsa më herët ka bërë publike se ka mbledhur informacion nga shumë institucione shtetërore të cilat faktojnë se për shkak të dekretit të Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve në vend u shkaktuan trazira e protesta të dhunshme.
Komisioni Hetimor parlamentar ka një afat 3 mujor i cili përfundon më 9 tetor. Në përfundim ai harton një raport me konkluzionet dhe kërkesën për ta shkarkuar ose jo presidentin e republikës. Ky raport kalon për votim në seancë parlamentare dhe është kuvendi që vendos. Vendimi i kuvendit shkon për mendim në Gjykatën Kushtetutese e cila vlerëson nga ana Kushtetuese gjithë procesin dhe thotë fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të Presidentit./realstory.al