Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar ndjekje penale për prokuroren e përgjithshme Arta Marku dhe për prokuroren Donika Prela për transferimin e dosjes 184 në prokurorinë e Dibrës, ndërsa i ka krahasuar ato me prokuroren e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, e cila u arrestua të mërkurën për korrupsion.
Basha akuzoi prokurorinë se po zbaton urdhrat e Ramës dhe synon që përmes këtij transferimi kërkon mbylljen e dojes së famshme 184 që lidhet me përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild për shit- blerjen e votave në Dibër.
“Ky është një veprim i dy “Katicave” të Prokurores së përgjithshme dhe të Krimeve të Rënda, që po veprojnë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të rilindjes. Janë aty për t’i mbrojtur dhe jo për t’i çuar para ligjit politikanët që janë kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve. Guximi që kanë marrë për të mbyllur një dosje që e ka marrë vesh e gjithë bota tregon që dëshpërimi i Edi Ramës është i tillë saqë ka vendosur t’i shtyjë edhe këto masha të pushtetit të tij, Arta Marku, e Donika Prela, dy “Katicat” e tij, drejt vetëflijimit, se me veprimet që kanë marrë të dyja janë penalisht të ndëshkueshme nga ligji. Kanë bërë shpërdorim detyre, prej këtij momenti duhet të ndiqen penalisht për shpërdorim detyre, meritojnë të quhen “Katicat” e Shqipërisë, njëlloj si prokurorja speciale që u vu në pranga në Maqedoninë e Veriut”, tha Basha për gazetarët pas takimit që zhvilloi me ambasadorin e ri gjerman në Tiranë.
Më herët Arta Marku përmes një deklarate për mediat shpjegoi se pse i takon prokurorisë së Dibrës që të regjistrojë procedimin penal për dosjen 184 dhe se vendimi për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga forma e veçantë e bashkëpunimit “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë” është marrë nga prokurori i çështjes, Klodian Braho, të cilin Basha nuk e përmendi në akuzat e tij.
Marku shpjegoi se me ndryshimin e cilësimit penal, prokuroria e krimeve të Rënda nuk ka kompetencë të merret me këtë çështje, por i takon prokurisë së Dibrës të vijojë hetimet. Kjo e fundit ka refuzuar urdhrin e Markut, dhe pritet që çështja në fjalë të marrë zgjidhje nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.