Dosja “5D” – SPAK jep pretencën, kërkon 1 vit burg për drejtoreshën e klubit ‘Tirana’, nga 9 muaj për tre të tjerët

AKTUALITET


SPAK ka dhënë pretencën për grupin e dytë të dosjes “5D”. Prokuroria e Posaçme kërkon 1 vit burg për drejtoreshen e klubit sportiv “Tirana”, Deborah Keçin që në aplikim të gjykimit të shkurtuar të reduktohet në 8 muaj. 

Po ashtu, prokuroria kërkoi pezullim dhe provë për 2 vite në mënyrë që gjatë kësaj kohe mos të kryejë vepër tjetër penale si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Për Teuta Guri, Renaldo Gjerazi dhe Gentjan Meraj, prokurori Klodian Braho kërkoi dënimin me 9 muaj burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar 6 muaj. Për të tre u kërkua edhe pezullim me afat dy vjeçar qe gjatë kësaj kohe të mos ushtrojë vepër tjetër penale si dhe u dha dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojnë funksione publike. 

Mbrojtësit ligjorë kërkuan kohë të përgatisin mbrojtjen, për këtë arsye seanca e radhës u caktua ne datë 8 maj ora 12.00.

Prokuroria e Posaçme deklaroi ne seance  se është marrë parasysh vlera e vogël e prokurorimit 3 milion lekë ku ishte përfitues i kontratës shoqëria “5 D” për tenderin  e rikonstruksionit të një  palestre të Sport Klub Tirana.



Skip to toolbar