Gazeta “Tema” ka publikuar sot një shkrim ku bën me dije se ekziston një dosje me numër 978, në të cilën rezulton të jetë i përgjuar presidenti Ilir Meta, i cili i ka kërkuar para një biznesmeni për zgjedhjet e vitit 2009. Sipas “Tema”, kjo dosje është mbajtur e fshehur nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla, por është pikërisht kjo dosje që ka bërë që Presidenti Meta të shpërthejë ashpër sot kundër reformës në Drejtësi dhe kryeministrit Rama.
Shkrimi i plotë i gazetës “Tema”
Në një kohë, kur vendi është përfshirë nga kriza politika dhe opozita akuzon mazhorancën se ka blerë vota, në dritë ka dalë një skandal që objekt ka presidentin Meta, në kohën kur ai drejtojnte Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Bëhet fjalë për trukim zgjedhjesh nga Meta në vitin 2009. Ka qenë gazetari Artan Hoxha që së fundmi në emisionin Opinion, i cili, bazuar në përgjimet e Prokurorisë deklaroi se Meta ishte kapur duke i kërkuar një biznesmeni 200 mijë euro për fushatën zgjedhore të vitit 2009.
Sipas gazetarit Artan Hoxha, dosja ku rezulton i përfshirë presidenti Ilir Meta mban numrin “978”.
Gjithçka është mësuar pas vënies në përgjim në vitin 2008, të ish-administratorit të DIA-s, Kastriot Ismailajt, i cili është i akuzuar për pastrim të rreth 7 milionë eurove.
Në përgjime është regjistruar edhe SMS e marrë nga Ismailaj nëpërmjet numrit të telefonit (0682031701) , i cili dyshohet se është përdorur nga Meta.
Sipas procesverbalit, të Departamentit të Hetimit të Krimeve në Policinë e Shtetit, që mban datën, 28.06.2009, rezulton se me datë 22.06. 2009, dy ditë para se të mbaheshin zgjedhjet vendore, Kastriot Ismailaj, ishte kontaktuar nga Ilir Meta, i cili i kishte kërkuar 200 mijë me patjetër.
“Nesër në darkë (më 23 qershor), duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”, shkruhet në SMS.
Një ditë pas publikimit të këtij lajmi vetëm në pak media (dhe këtu duket qartë se nga kush janë të kapura mediat, që fshehën denoncimin e Artan Hoxhës), Ilir Meta është shfaqur në një eveniment që kishte lidhje me sfidat e sigurisë në Ballkan.
Por, më shumë se sa për sfidat e sigurisë në Ballkan, Ilir Meta, jo më me “dashuri dhe qetësi” është shfaqur nervoz dhe pjesën më të madhe të fjalimit të tij, ja ka kushtuar reformës në drejtësi dhe krizës politike në vend, duke bërë përgjegjës Edi Ramën.
Presidenti me sa duket e ka humbur qetësinë, pasi në ditët në vijim është paralajmëruar se do të botohen detaje të tjera nga dosja “978”, e cila e implikon atë në një aferë të rëndë.
Jo vetëm atë, por edhe Prokurorinë, e cila nën drejtimin e Adriatik Llallës, e varrosi këtë dosje.
Dhe sa më shumë detaje të dalin nga kjo dosje, aq më nervoz dhe agresiv do ta shohim në ditët në vijim presidentin dhe partinë e gruas së tij./TemA