SPAK, deputetët e Sigurisë paralajmërojnë hapjen e dosjeve të bujshme

Reforma në Drejtësi nuk do të ndalet dhe pritet që brenda këtij viti të japë rezultate konkrete. Prokuroia e Posaçme e Hetimit, ose siç njihet ndryshe, SPAK, është drejt ngritjes dhe në shtator do të jetë funksionale. Ndërkohë deputetët e maxhorancës, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë paralajmërojnë se me ngritjen e SPAK, askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë së re, as ata që i kanë dosjet e hapura aktualisht dhe as ata që i kanë të mbyllura. Dosjet e bujshme pritet të hapen sërish dhe drejtësia e re të thotë fjalën e saj për zyrtarë dhe politikanë të korruptuar apo të inkriminuar.

Një përgjigje për këtë e dhanë për gazetën “SOT” anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Deputeti socialist, Xhemal Qefalia u shpreh shkurt dhe qartë se asgjë dhe askush nuk do t’i shpëtojë SPAK. “Asgjë dhe askush nuk do t’i shmanget Reformës në Drejtësi”, deklaroi Qefalia. Anëtarja tjetër e Komisionit të Sigurisë, Antoneta Dhima nga ana tjetër paralajmëroi rihapje të dosjeve të bujshme përmes SPAK. Sipas saj, çdo zyrtar me dosje në prokurori do të ndëshkohet nga drejtësia e re. “Për të gjithë ne është shumë e qartë se reforma në drejtësi do të nisë nga ata zyrtarë apo biznese që janë gjetur me shkelje, abuzime, që dosjet e tyre i kanë të hapura dhe ende nuk ka një vendimmarrje nga drejtësia si dhe dosjet e atyre zyrtarëve apo bizneseve të cilat janë të mbyllura. Institucionet e krijuara deri tani, si dhe ato që po krijohen nga zbatimi i reformës në drejtësi, nuk duhet të tolerojnë askënd. Prokurorëve të posaçëm do t’iu dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar si dhe dosjet e mëdha të cilat janë mbyllur. Prokurorët e SPAK kanë të drejtë të hetojnë që nga Presidenti, kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo”, tha Antoneta Dhima.

Politikanët e korruptuar do të jenë të detyruar të japin llogari shumë shpejt para drejtësisë së re.

Pas ngritjes së SPAK menjëherë do të nisë puna për ngritjen e BKH-së. “Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë”, thuhet në nenin 33 të ligjit. Po ashtu, aty përcaktohet se një komision i përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short, do të duhet të mbikëqyrin punën e kryer nga drejtori.

 Pra, sipas të gjitha gjasave, brenda këtij viti do të jenë gati si Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ashtu edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Këta dy organe do të kenë në dorë goditjen e korrupsionit në nivelet më të larta dhe hetimin e arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.

Dosja “978” dhe humbja e qetësisë nga Ilir Meta

Gazeta “Tema” ka publikuar  sot një shkrim ku bën me dije se ekziston një dosje me numër 978, në të cilën rezulton të jetë i përgjuar presidenti Ilir Meta, i cili i ka kërkuar para një biznesmeni për zgjedhjet e vitit 2009. Sipas “Tema”, kjo dosje është mbajtur e fshehur nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla, por është pikërisht kjo dosje që ka bërë që Presidenti Meta të shpërthejë ashpër sot kundër reformës në Drejtësi dhe kryeministrit Rama.

Shkrimi i plotë i gazetës “Tema”

Në një kohë, kur vendi është përfshirë nga kriza politika dhe opozita akuzon mazhorancën se ka blerë vota, në dritë ka dalë një skandal që objekt ka presidentin Meta, në kohën kur ai drejtojnte Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Bëhet fjalë për trukim zgjedhjesh nga Meta në vitin 2009.  Ka qenë gazetari Artan Hoxha që së fundmi në emisionin Opinion, i cili, bazuar në përgjimet e Prokurorisë deklaroi se Meta ishte kapur duke i kërkuar një biznesmeni 200 mijë euro për fushatën zgjedhore të  vitit 2009.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, dosja ku rezulton i përfshirë presidenti Ilir Meta mban numrin “978”.

Gjithçka është mësuar pas vënies në përgjim  në vitin 2008,  të  ish-administratorit të  DIA-s, Kastriot Ismailajt, i cili është i akuzuar për pastrim të rreth 7 milionë eurove.

Në përgjime është regjistruar edhe SMS e marrë nga Ismailaj nëpërmjet numrit të  telefonit (0682031701) ,  i cili  dyshohet  se është përdorur nga  Meta.

Sipas procesverbalit, të Departamentit të Hetimit të Krimeve në Policinë e Shtetit, që mban datën, 28.06.2009, rezulton se me datë 22.06. 2009, dy ditë para se të mbaheshin zgjedhjet vendore, Kastriot Ismailaj, ishte kontaktuar nga Ilir Meta, i cili i kishte kërkuar 200 mijë me patjetër.

“Nesër në darkë (më 23 qershor), duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”, shkruhet në SMS.

Një ditë pas publikimit të këtij lajmi vetëm në pak media (dhe këtu duket qartë se nga kush janë të kapura mediat, që fshehën denoncimin e Artan Hoxhës), Ilir Meta është shfaqur në një eveniment që kishte lidhje me sfidat e sigurisë në Ballkan.

Por, më shumë se sa për sfidat e sigurisë në Ballkan, Ilir Meta, jo më me “dashuri dhe qetësi” është shfaqur nervoz dhe pjesën më të madhe të fjalimit të tij, ja ka kushtuar reformës në drejtësi dhe krizës politike në vend, duke bërë përgjegjës Edi Ramën.

Presidenti me sa duket e ka humbur qetësinë, pasi në ditët në vijim është paralajmëruar se do të botohen detaje të tjera nga dosja “978”, e cila e implikon atë në një aferë të rëndë.

Jo vetëm atë, por edhe Prokurorinë, e cila nën drejtimin e Adriatik Llallës, e varrosi këtë dosje.

Dhe sa më shumë detaje të dalin nga kjo dosje, aq më nervoz dhe agresiv do ta shohim në ditët në vijim presidentin dhe partinë e gruas së tij./TemA

Skip to toolbar