Arjan Ndoja i cilësoi dosjet dhe dokumentet e gjetura në makinën e tij, si pjesë e punës që ai ofron si konsulent ligjor. Ndoja, nga dhoma e spitalit në Durrës ku gjendet i shtruar, tha se zotëron një studio ligjore dhe se çështjet që lidhen me pronat apo çështjet penale janë pjesë e punës së tij. Gjatë një interviste për A2 CNN, Ndoja tha se me këtë ai nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa në lidhje me akuzat për bashkëpunim me grupe kriminale, shtoi se nuk ka shpërdorur kurrë detyrën e tij si prokuror.
“Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja.
Prokurori Arjan Ndoja tha se kurrë nuk është ndjerë i kërcënuar dhe se nuk e priste që dikush do i drejtohej me armë. Ai tha se nuk i trembet askujt dhe nuk është shoqëruar kurrë me kriminelë.
“Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar, ndryshe do të kisha marrë masa të mbrohem. Çdo gjë kisha pritur, vetëm këtë jo. Kisha menduar që mund të më çonin në prokurori, duke më ngritur akuza, por jo deri tek arma. Unë nuk i trembem askujt. Asgjë nuk kam bërë në kundërshtim me ligjin dhe nuk jam shoqëruar kurrë me kriminelë”. tha Ndoja
Makina me të cilin po udhëtonte Arjan Ndoja ishte pjesë e një atentati me armë më 1 nëntor te mbikalimi i Shkozetit, ndërsa në makinën e tij gjendej shoferi Andi Maloku dhe Aleksandër Laho me precedent penal i njohur edhe me nofkën “Rrumi”, ku mbetën të 3 të plagosur.