Drafti i PS/ Bylykbashi: Nuk lëvizim nga koalicionet parazgjedhore. Vasili: PS të pranojë t’i drejtohemi OSBE/ODIHR

Më të fundit


Opozita e Bashkuar mbetet e palëkundur në ruajtjen e koalicioneve parazgjedhore. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi u shpreh se ajo c’ka kërkohet është zgjidhje konsensuale ndaj edhe i është drejtuar ODIHR për ekspertizë.

Ndërkohë për Petrit Vasilin mazhoranca po bojkoton marrëveshjet e 14 janarit dhe 5 qershorit për Reformën në Zgjedhore.

Pas largimit nga mbledhja e Këshillit Politik, pasi nuk arritën dakordësinë me PS, Vasili u shpreh se ky është një shans i madh për mazhorancën, që të pranojë kërkesën e opozitës për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR që të asistojë zgjidhjen e çështjes.

Deklarata e Plote, Oerd Bylykbashi:

Në përputhje me atë që kishim kërkuar edhe në mbledhjen tjetër të Këshillit Politik. Ne sot sollëm kërkesën zyrtare të opozitës, kërkesë me shkrim për të aktivizuar mekanizmin e zgjidhjes së mosdakordësive që ka marrëveshja e 14 janarit e cila në mënyrë fare të qartë thotë: palët kërkojnë konsensus, dhe nëse konsensusi nuk arrihet, Këshilli i drejtohet OSBE-ODIHR-it për asistencë për të gjeture zgjidhje të pranueshme.
Ajo që po kërkojmë ne është pikërisht gjetja e një zgjidhje të pranueshme konsensuale. Partia Socialiste insiston që të ndryshojë atë që është konsensualisht e dakordësuar për 17 vjet deri me datë 21 korrik 2020. Për këtë ka mosdakordësi dhe ne kërkojmë zyrtarisht nga Partia Socialiste që nëpërmjet Këshillit ti drejtohemi OSBE-ODIHR.
Kërkesa është zyrtare, presim sot përgjigje zyrtare me shkrim nga përfaqësuesi i maxhorancës. Ne ia bëmë të qartë që japim kohën për të reflektuar, jemi këtu dhe presim që sapo zoti Gjiknuri të bjerë dakord, të vazhdojmë punë për çështjet e tjera. Por çështja për koalicionet që të ruhen ashtu siç janë sot në kodin zgjedhor me konsensus edhe me 23 korrik, ne nuk lëvizim nga ajo pa marrë një përgjigje ekspertize nga OSBE-ODIHR.
Pyetje: Ka një pretendim që keni bojkotuar mbledhjen?
Bylykbashi: E bëra fare të qartë. Ne kemi bërë një kërkesë zyrtare, presim përgjigjen e tyre sepse marrëveshja e 14 janarit është themeli i funksionimit të këtij këshilli. Ne jemi të gatshëm për të filluar sapo zoti Gjiknuri të tregojë gatishmërinë. Ai në mbledhje tha: ne nuk jemi dakord që ti drejtohemi ODIHR-it
Një nga kërkesat e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar ka qenë hapja 100% e listave. Sot socialistët kanë sjellë në tryezë propozimin e tyre konkret për hapjen 100% të listave. A e shihni këtë si një sinjal pozitiv?
Ne nuk lëvizim nga kërkesat tona. Koalicionet ruhen siç janë dhe lista 100% realisht të hapura. Le të kuptojmë diçka. Në këtë moment, siç tha edhe zoti Vasili, PS po bojkoton marrëveshjen e 14 Janarit. Marrëveshja e 14 Janarit funksionon si një e tërë dhe jo me pjesët që i interesojnë zoti Gjiknuri apo PS-së. Nëse nuk i gjendet konsensus, i drejtohemi OSBE – ODIHR. Këshilli politik nuk është parlamenti ku ata vendosin me si të duan ata dhe me votat që duan ata
Këtu bihet dakord me konsensus dhe me drafte te pranuara bashkërisht, përndryshe ata po cenojnë funksionimin e Këshillit Politik.
Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë punën sapo të reflektojnë.

Deklarata e plote, Petrit Vasili:

Doja që të iu shpjegoj që bëhet fjalë për bojkotimin nga ana e Partisë Socialiste të marrëveshjes së 14 janarit dhe të 5 qershorit. Kërkesa parimore e opozitës së bashkuar është një kërkesë që ndërton konsensus, ndërton dialog dhe ruan frymën e 14 janarit që prodhohej dhe dokumenti shumë të rëndësishëm dhe marrëveshja e 5 qershorit.

Sot jemi para faktit, ne shpresojmë shumë dhe jemi këtu me durim dhe do vazhdojmë të jemi me durim të presim që Partia Socialiste të mos bojkotojë në mënyrë përfundimtare, në mënyrë të njëanshme, të shkatërrojë konsensusin e 14 janarit dhe 5 qershorit dhe të shënojë së paku një rekord të ri pozitiv kundrejt ngjarjeve shumë të rënda, të miratimeve të njëanshme që ajo ndërmori në 30 korrik.

Ky është një shans besoj, i madh për Partinë Socialiste, jo për opozitën e bashkuar, të cilës nuk ia ndal dot njeri as mundësitë për t’u drejtuar, por opozita është si gjithmonë në këtë Këshill ashtu si ishte në marrëveshjen e 5 qershorit, të cilën e respektoi dhe e respekton pikë për pikë dhe sot sërish kërkon dhe po bën të pamundurën për të ruajtur Këshillin nga bojkotimi i njëanshëm i Partisë Socialiste nga një imponim i jashtëm i Partisë Socialiste dhe nga dëshira e shfrenuar e Partisë Socialiste për të kthyer Këshillin Politik si një organizëm konsensual në një instrument që thjesht dhe vetëm do të donte të imitonte Parlamentin e njëanshëm dhe një partiak që ekziston në Republikën e Shqipërisë.

Pra ky është thelbi i gjithë problemit dhe besojmë që është moment i rëndësishëm për të reflektuar për partinë Socialiste, për të mos u zhytur edhe më thellë në logjikën e njëanshmërisë e cila e polarizon shoqërinë, nuk ndryshon fatet elektorale të Partisë Socialiste të cilat janë pa kthim dhe humbëse, por do ti ruante vendit gjithsesi një tensionim social dhe politik krejtësisht të panevojshëm për shkak të kësaj sjelljeje të Partisë Socialiste.




Skip to toolbar