Ndërsa parlamenti e ka thirrur të dëshmojë ditën e hënë në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, presidenti Meta vijon të jetë aktiv në rrjetet sociale duke postuar video dhe duke dhënë mesazhe.
Pas videos ku shfaqej me një qen në krah të cilin e tundte si një foshnje, këtë të shtunë Meta është shfaqur në një video tjetër i rrethuar nga macet.
“Një mëngjes me një “buqetë” macesh, gjithmonë relaksues! Ato janë të dashura dhe ledhatare. Por ka edhe ndonjë guximtare që ngjitet lart, pa llogaritur rrezikun në kthim. Unë qëllova aty, për t’ia bërë të lehtë zbritjen. Ju uroj një fundjavë të këndshme dhe të mbarë!”, shkruan Meta.
Pak më herët ai publikoi një video të tijën 11 vite më parë, në kohën kur ishte kryetar i LSI-së dhe ku deklaronte se kurrë nuk do të bënte kompromis me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të arritura falë marrëveshjes Rama-Berisha. Një mesazh ky që u lexua si një deklaratë e Metës kundër një marrëveshje të ngjashme mes Ramës e Bashës, nisur dhe nga zhvillimet e fundit dhe sinjaleve për bashkëpunim mes palëve për të realizuar reformën zgjedhore. Ndërsa kjo video e dytë i rrethuar nga macet duket e vështirë për t’u lexuar, por me siguri që e ka një mesazh të koduar veçanërisht aty ku shkruan se “unë do ia bëj të lehtë zbritjen”. Ndoshta një mesazh drejtuar Ramës dhe rrëzimit të tij nga posti i kryeministrit….
Të hënën Meta ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në Kuvend për t’u përballur me deputetët e Komisionit Hetimor që kërkojnë shkarkimin e tij për shkelje të rëndë të Kushtetutës./Realstory.al