Zgjedhjet në Kosovë, Haradinaj sërish kandidat për kryeministër

AKTUALITET


Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare që janë dekretuar të zhvillohen në datën 6 tetor.

Por duket se ai do të jetë sërish kandidati kryesor për postin e kryeministrit. Ka përfunduar afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, ndërkohë që pritet që gjatë të shtunës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate të prezantojnë emrin e përbashkët për kryeministër që mendohet se do të ketë sërish Ramush Haradinaj.


Mbrëmjen e së shtunës AAK do të mbajë një takim në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në orën 19:00 ku do të deklarohet emri i kandidatit për kryeministër.

Në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë janë regjistruar për të marrë pjesë 25 subjektet politike.

Valmir Elezi, zëdhënësi për media në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka njoftuar se kërkesat për pjesëmarrje në zgjedhje i kanë dorëzuar 25 subjekte politike.

“KQZ njofton se është përmbyllur afati për dorëzimin e listës së deputetëve për certifikim në zgjedhjet e 6 tetorit. Brenda afatit kohor kanë dorëzuar gjithsej 25 subjekte politike, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 i pavarur”, tha ai.

Ai tregoi se së shpejti do të shqyrtohen këto aplikime dhe vendimmarrja do të bëhet deri më 10 shtator.

Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit pas thirrjes për të dëshmuar në Hagë për akuzën e krimeve të luftës. Që në fillim kjo lëvizje e Haradinajt u pa si taktikë e tij për të fituar sa më shumë mbështetje popullore. Dorëheqja e tij nga posti bëri që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet do të zhvillohen në 6 tetor.




Skip to toolbar