Drejt shkarkimit, Venecia miraton pa ndryshime raportin për Metën

AKTUALITET


Komisioni i Venecias ka miratuar pa ndryshime thelbësore raportin përfundimtar për Presidentin Meta duke konkluduar se ai ka tejkaluar kompetencat që i njeh Kushtetuta përmes vendimit për anulimin e datës së zgjedhjeve si dhe vlerësoi dhe njëherë faktin se asnjë parti politike nuk mundet që përmes bojkotit të bllokojë apo pengojë zhvillimin e një procesi zgjedhor. Në seancën e zhvilluar të premten në Venecia ishin të pranishëm deputetë të maxhorancës nga parlamenti shqiptar, si Taulant Balla dhe Klotilda Bushkaj si dhe përfaqësues të presidencës, si shefi i kabinetit të Presidentit Arben Cici.

Në përfundim të seancës Kreu i Komisionit te Venecias, Gianni Buquichio, në një intervistë për A2Cnn, tha se Presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën por jo aq sa të shkarkohet.

 “Opinioni thotë se kishte një shkelje, por nuk ishte, sipas Komisionit, aq serioze sa të përbënte arsye për shkarkim të Presidentit. Tani është një çështje politike, por unë shpresoj se shqiptarët do të jenë të zgjuar. Që të gjithë, nga Presidenti te Qeveria, te Parlamenti deri te opozita, ajo brenda dhe jashtë Parlamentit. Të gjithë në Shqipëri duhet të marrin përgjegjësitë e veta, në interes të vendit dhe popullit”, tha Buquichio. Ai  i bëri apel politikës që konfliktet e saj t’i zgjidhë përmes dialogut. Kjo duket se ishte formula e propozuar prej tij edhe për sa i përket konfliktit mes mazhorancës dhe Presidentit Meta. “Tashmë opinioni u miratua. Unë bëra thirrje në fund të takimit që të gjitha forcat politike në Shqipëri të nisin një dialog të vërtetë, sepse ju keni nevojë për stabilitet, keni nevojë të bëheni bashkë për të mirën e shqiptarëve. Politika është politikë, por e rëndësishme është vullneti i shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Europian. Ju keni konsumuar kaq shumë kohë me konflikte politike”, u shpreh Buquichio.

Sipas Taulant Ballës, Komisioni i Venecias rikonfirmoi se presidenti nuk respektoi Kushtetutën dhe ligjin me dekretin për të anuluar ditën e zgjedhjeve. Balla tha se, sipas tij, Komisioni i Venecias ka konfirmuar gjetjet e socialistëve dhe se presidenti shkeli kushtetutën dhe cenoi të drejtën për të zgjedhur dhe i mbetet Komisionit Hetimor të vlerësojë nëse jemi në kushtet për shkarkimin e kreut të shtetit.

 “Raporti përfundimtar, i cili sapo është miratuar në unanimitet të plotë, vlerëson faktin që asnjë parti politike nuk ka të drejtë dhe nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve. Ky është një mësim i marrë nga rasti i Shqipërisë dhe që ka vlerë edhe për raste të tjera. Ajo që është e rëndësishme, opinionit përfundimtar, është se zgjedhjet e 30 qershorit, janë zgjedhje të zhvilluara tërësisht në respekt të Kushtetutës dhe tërësisht demokratike. Komisioni për shkeljet e Presidentit ka një dokument që iu kërkua ky opinion dhe në vlerësimin tim, Komisioni i Venecias ka konfirmuar gjetjet tona që veprimet e Presidentit kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe të ligjit dhe për pasojë i mbetet Komisionit të Posaçëm të vlerësojë”, u shpreh Balla.

Ndërsa, shefi i kabinetit të Presidentit Arben Cici, shprehu edhe njëherë tjetër qëndrimin e këtij institucioni përkundrejt pretendimit të mazhorancës për shkarkimin e kreut të shtetit. “Mund t’ju them që Presidenti i Komisionit të Venecias dhe disa nga reporterët shprehën keqardhjen e madhe që opinioni që iu dërgua palëve disa ditë më parë, u bë publik. Kështu që edhe kjo mbledhje ishte shumë konfidenciale”, tha Cici. “Institucioni i Presidentit erdhi këtu për t’u treguar jo vetëm opinionit publik, por edhe anëtarëve të Komisionit të Venecias, që Presidenti i Republikës nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës së Shqipërisë”.

Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushkaj tha pas miratimit të raportit paraprak i takon Parlamentit shqiptar të vendosë nëse shkeljet e Presidentit janë të rënda mjaftueshëm për ta shkarkuar atë.

“Sapo është miratuar opinioni i Komisionit të Venecias i cili mban të njëjtat qëndrime si në opinionin e parë. Ka disa riformulime, risaktësime termash, por në thelb qëndron i njëjti reagim që patëm më parë, pra që vlerësohet çështja e parimeve demokratike në vend që është shumë e rëndësishme për sa i takon faktit që e drejta e zgjedhjeve duhet të respektohet dhe bojkoti i partive politike nuk përbën një çështje për të mos mbajtur zgjedhjet. Çështja e shkeljeve kushtetuese analizohet në opinion dhe është në kompetencën e komisionit parlamentar të parlamentit për të vlerësuar rëndësinë e këtyre veprimeve. Vazhdon mbahet qëndrimi që ndërhyrja në të drejtën e zgjedhjeve, në mungesë të parashikimeve ligjore, përbën një ndërhyrje jo proporcionale. Në cilësinë e komisionit hetimor, komisioni i është drejtuar me një ekspertizë për çështjen e standardeve, ky do të jetë një nga dokumentet shumë të rëndësishëm që do t’i shërbejë komisionit në punën e vet”, u shpreh Bushkaj.

Në raportin paraprak Komisioni i Venecias konkludoi se presidenti Meta tejkaloi kompetencat e Kushtetutës përmes vendimit për anulimin e datës së zgjedhjeve, por theksoi se i takon parlamentit të Shqipërisë dhe institucioneve shqiptarëve të vlerësojnë nëse presidenti duhet shkarkuar ose jo. Raporti përfundimtar i Venecias do të jetë baza mbi të cilën do të vendosë parlamenti i Shqipërisë. Komisioni Hetimor Parlamentar ka afat deri më 8 dhjetor për të vendosur për shkarkimin e presidentit. Pas miratimit në parlament çështja do të vuloset nga Gjykata Kushtetuese. Por gjithsesi të gjithë gjasat janë që për herë të parë parlamenti të votojë pro shkarkimit të një presidenti në Shqipëri./realstory.al



Skip to toolbar