“Drejtësia po goditet nga të gjitha anët”. Cilën anë godet Xhafaj?

#NËRADAR


Ish-Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësisë, Fatmir Xhafaj ka vlerësuar hapin e hedhur për emërimin e anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese për funksionimin e drejtësisë së re, por nga ana tjetër, ai ka deklaruar se drejtësia e re po goditet nga të gjitha anët, duke dhënë një mesazh të tërthortë, jo vetëm për kreun e shtetit dhe opozitën, që e kanë sulmuar këtë proces, por edhe për të tjerët.

“Urime Artës, Elsës dhe Fionës anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese! Janë aty në saj të një procesi tërësisht kushtetues e të pandikuar politikisht. Integriteti dhe profesionalizmi i spikatur që mbartin iu dha atyre nderin dhe përgjegjësinë për të ushtruar këtë funksion të lartë publik. Shpresëplotë se ato do të dinë të dëshmojnë objektivitet, paanshmëri dhe profesionalizëm në vendimmarrje, në shërbim të ligjit dhe interesit qytetar! Një hap tjetër pozitiv në çuarjen përpara të Reformës në drejtësi! Drejtësia e Re po krijohet. Me vështirësi, me pengesa dhe goditje nga të gjitha anët. Gjithsesi po ecën përpara. Është koha e saj për tu ngritur, vepruar dhe gjykuar!”, shkruan Xhafaj në Tëitter menjëherë pas votimit në Kuvend të dy anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese.


Por pse vjen ky mesazh i Xhafajt, i cili ka qenë në krye të komisionit për reformën në drejtësi, ku vihet re se ai ka mënjanuar urimin për anëtarin e dekretuar nga Meta, Besnik Muçin, ndërkohë që në krye të fjalës ka vendosur Arta Vorpsin? Ndoshta është një koincidencë, por e vërteta është se Arta Vorpsi cilësohet si një ndër njerëzit e besuar të ish-ministrit të drejtësisë, Fatmir Xhafaj. Madje, ajo ka punuar edhe për Komisionin e kryesuar nga Xhafaj për Reformën në Drejtësi, pasi ka qenë anëtare e nëngrupit për Reformën Kushtetuese dhe Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa në kohën e qeverisjes së mazhorancës 2001-2005, kur Xhafaj ishte ministër drejtësie, Vorpsi ka mbajtur funksionin e drejtoreshës së Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, ajo ka punuar në atë kohë lektore në Fakultetin e Drejtësisë dhe trajnere në shkollën e administratës publike. Meta e shmangu dy herë Vorpsin (herën e parë kur dekretoi Muçin dhe herën e dytë kur pezulloi procesin të premten e kaluar) dhe KED (e drejtuar nga Dvorani, një tjetër person i drejtësisë i përfolur si i afërt me Xhafën), e publikoi emrin e saj në krye të listët për zgjedhjen automatikisht në Gjykatën Kushtetuese. Dy fakte që të shtyjnë të mendosh se mesazhi e Xhafës i drejtohet kryesisht kreut të Shtetit. Por cilat janë anët e tjera për të cilat shqetësohet ish Kreu i Reformës në Drejtësi?

Të hënën në Kuvend deputetë të opozitës folën për një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Metës, për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast, ajo që do ta vërtetonte, do të ishte mosbetimi i Arta Vorpsit nga Ilir Meta dhe pranimi në heshtje i kësaj, edhe nga mazhoranca, e cila më pas do të sillte automatikisht dekretimi nga Meta të personit të katërt në listë, që do të ishte Marsida Xhaferrllari. Në këtë mënyrë Meta do të bëhej person kyç në një skemë që do sillte në Gjykatën Kushtetuese edhe një person të tij, edhe një emër të dashur për opozitën. Çka do “plotësonte” skemën që paralajmëron Xhafaj: Se në reformën në drejtësi, tashmë do t’i fusnin duart “të gjitha anët”… Realstory.al




Skip to toolbar