Xhafaj: Sulmi ndaj Reformës në Drejtësi do të jetë më i ashpër…(për shkak të frikës)

AKTUALITET


Ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha të hënën se sulmi i egër ndaj Reformës në Drejtësi do të vazhdojë dhe do të jetë edhe më i ashpër se deri tani dhe shkak është frika që ndjejnë disa për zbatimin e kësaj reforme.

“Një sulm i egër e ka shoqëruar dje hartimin e reformës në drejtësi dhe sot procesin e zbatimit të saj. E sigurt kështu do të vazhdoj edhe nesër. Do të jenë gjithmonë e më pak, por e sigurt më të ashpër.


Në asnjë moment nuk kam pritur dhe as pres të kundërtën. Është ndeshja e dy botëve, një përballje e dy qëllimeve diametralisht të kundërta.

Padyshim që në themel të të gjithë këtij sulmi ka qenë dhe mbetet paranoja e pasiguria apo frika nga drejtësia, nga ndëshkimi”, tha Xhafaj, i cili shpjegoi se shkak për sulmet është fakti se politika nuk ka asgjë në dorë për përcaktuar drejtësinë e re.

Ai i ktheu përgjigje edhe kritikave që vijnë si nga Presidenti Meta ashtu edhe nga opozita në lidhje me vonesat në plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

“Dikush qan hallin e drejtësisë së vonuar duke kujtuar numrin e madh të dosjeve në rafte, disa të tjerë nuk dinë se çfarë kërkojnë dhe çirren se reforma po kapet!

Harrojnë që deri dje që Gjykata e Lartë ishte aty e tëra dhe ishin mijëra çështje në raftet e saj prej vitesh ashtu sikundër janë me mijëra dosje në pritje dhe me vite vonesë apo në zvarritje dekadash në shkallët e tjera të gjyqësorit. Sigurisht më mirë një vit vonesë se sa një drejtësi e blerë dhe e shitur si mall nën pushtetin e fuqisë së pushtetit apo të fortit të parasë apo krimit.

Ndërkohë që deri dje gjykata kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe çdo institucion i sistemit dhe vet karriera e gjyqtarëve e prokurorëve përcaktohej nga politika, nga vullneti i pushtetit të radhës ndërsa drejtësia e re që po ngremë përmes kësaj reforme garanton që qëndrueshmëria, karriera dhe promovimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe pushtetin, po me vlerat dhe integritetin”, nënvizon Xhafaj.

Ai bëri të qartë se Reforma në Drejtësi është hartuar dhe po zbatohet nën monitorimin dhe asistencën e vazhdueshme të SHBA dhe BE, ndërsa tha se institucionet e reja që dalin prej saj do të vazhdojnë të jenë nën monitorim ndërkombëtar.

“Prokuroria e djeshme ishte e mbërthyer nga drejtues të paaftë, të korruptuar dhe shërbëtorë militantë politikë dhe nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me institucionet e reja të drejtësisë penale, me SPAK dhe BKH të formuar me gjyqtarë, prokurorë e polic të skanuar në filtrat e vetingut, të emëruar mbi një proces konkurimi pa asnjë pikëlidhje me politikën dhe kryesorja nën një monitorim të fortë ndërkombëtar nga misionet e asistencës të SHBA e BE, (OPDAT dhe EURALIUS) dhe akoma më shumë në një periudhë të paktën dy vjeçare me mandat kushtetues asistence, trajnimi dhe monitorimi prej tyre!”, theksoi Xhafaj.

Ish-Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, mori pjesë në prezantimin e dy volumeve të kolanës së botimeve parlamentare për reformën, aktivitet i organizuar me rastin e 3-vjetorit të miratimit të reformës nga parlamenti.




Skip to toolbar