Dita e hënë pritet të jetë tepër e nxehtë, jo vetëm për shkak të temperaturave por edhe për situatën politike në vend. Më 8 korrik pritet që në Kuvend të diskutohet shkarkimi i presidentit Meta si dhe do të mbahet protesta e 10 kombëtare e opozitës. Që pas djegies së mandateve të opozitës vendi ka kaluar në një krizë politike që sa vjen dhe është thelluar. Djegia e mandateve u shoqërua me protesta të dhunshme, sulme ndaj disa KZAZ dhe me bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Sot opozita duket sikur ka ngelur ne një udhë pa krye. Edhe pse protestoi për 5 muaj rresht për të ndaluar zgjedhjet (që u zhvilluan mjaft të qeta) dhe për të rrëzuar qeverinë Rama ( qeveri e kapur nga krimi sipas opozitës) ajo nuk arriti asnjë nga qëllimet e saj. Dështimet e arritjes së qëllimeve të tyre deri tani, kanë sjell një luftë të brendshme brenda PD, e cila për herë të parë pas rreth 30 vitesh ka mbetur pa asnjë lloj pushteti.
Me 8 korrik në orën 20:00 opozita ka thirrur protestën e 10 kombëtare. Por këtë herë kërkesat e saj kanë ndryshuar. Opozita tashmë kërkon për të dënuar vjedhësit e votës pas përgjimeve të BILD dhe të largohet Kryeministri Rama. Si Lulzim Basha ashtu edhe Monika Kryemadhi kanë deklaruar se ajo do te jetë paqësore duke ftuar gra, femra e fëmijë të bëhen pjesë e saj. Në këtë protestë ato i kanë bërë thirrje të bashkohen edhe 85% të qytetarëve, që refuzuan të merrnin pjesë në zgjedhjet farse dhe nul të 30 qershorit sipas opozitës.
Një tjetër situatë e nxehtë është edhe ajo e shkarkimit të Presidentit Meta, i cili thelloi edhe më tej krizën duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit me arsyetimin e shmangies se një përplasje civile. Ky dekret në fakt ishte si t’i hidhje benzinë zjarrit pasi tensionoi edhe me tej situatën duke nxitur jo vetëm dhunën e militantëve të PD ndaj policisë dhe KZAZ, por thelloi krizën institucionale e politike në vend. Të hënën Kuvendi pritet të mblidhet në orën 17:00 për të diskutuar ngritjen e një komisioni hetimor që do të shqyrtojë raportin e hartuar nga Komisioni i Ligjeve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në raport argumentohen 9 shkeljet e Kushtetutës nga Meta me firmosjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ky raport është bërë publik me herët nga RealStory.al dhe do paraqitet në Kuvend për miratim për t’i hapur më pas rrugën procedurave të tjera parlamentare, si ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit. Vendimi përfundimtar do të merret nga Gjykatës Kushtetuese që pritet të jetë funksionale deri në fund të korrikut.
Të gjitha këto zhvillime do të ndodhin gjatë ditës së hënë dhe priten me interes të madh jo vetëm nga qytetarët dhe partitë politike, por dhe ndërkombëtarët, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë thirrje për dialog mes palëve politike.