E nisi si Trump, po e mbyll si Biden. Si për ta vërtetuar këtë, Sali Berisha u shfaq sot me syzet RayBan, njëlloj si ish-presidenti amerikan. Po për liderin e Shqipërisë madhështore, këto krahasime nuk shkojnë poshtë kollaj.
“Mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët”
Por në fund Sali Berisha garën e ka me një lider 20 vite më të ri, Edi Ramën. Të cilin e ftoi në një sfidë të hapur publike, për të parë, se kush ka rrjedhur më shumë.
“Personalisht unë e kam ftuar Edi Ramën dhe e ftoj në çdo kohë, në çdo studio që të zgjedhë ai, dhe në çdo shesh publik, të ballafaqohemi pak dhe të shofë se kush ka, kush ka shenja të senilitetit, të rrjedhjes, dhe të vijë të ua tregojmë shqiptarëve.”
Por si për çdo, edhe për gafat e tij, doktori e gjeti fajin diku tjetër.
“Mediat po na censurojnë. Ky është nënshtrim i pakonceptueshëm i medieve të lira ndaj diktatit të Edi Ramës dhe ekipit të tij të inkriminuar që nuk mund të dalë në dritën e diellit “
Por ndërkohë Sali Berisha, vetëm për një gjë nuk mund të ankohet. Fytyra e tij është në çdo ekran dhe thuajse në çdo orë. I vetmi nder që mediat ndoshta nuk po i bëjnë, është që t’i censurojnë gafat e tij tashmë ditore.
Po, e kisha për mediat kombëtare. Për ato”
Doktori megjithatë nuk mohon gafat e tij, por pretendon se në garë me ato të Ramës, këto të tijat, janë të parrezikshme.
“Hapni google aty gjeni fotot e mija nudo. Po shkove në kënetë, je autik politikisht. Je gjysmak” tha Rama
“Ky është një superskandal. Vërtetë mund të marrësh disa klikime të kuriozitetit, por kjo është rreptësisht e ndaluar në ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. Një propagandë e tillë është e tmerrshme, nuk mund të nxjerrësh në pazar ti, nuditetin, lakuriqësinë tënde, kurrë, sepse ka një kod etik moral, shoqëria njerëzore.” thotë Berisha
Në fakt fotot nudo të Ramës në vitin 2007, u nxorën në publik nga këshilltaret e tij për median. Por doktori ndoshta edhe për shkak të moshës, ka harruar mëkatet e tij të vjetra. Ai bile beson se është si një shishe verë e vjetëruar aq shumë, saqë shqiptarët mund ta pijnë sërish, edhe pas 35 vjetësh. Në një tjetër deklaratë, që nuk duket dhe aq gafë, ai thotë se Shqipërisë e keqja i ka ardhur nga të rinjtë. Nga Enveri, e deri tek Tiku.
“Në kuptimin e asaj që po të rikthehesh, këtij vendi dëme më të mëdha ja bënë atë që ishin të rinj. Enver Hoxha, Edi Rama. Ata që nuk kishin eksperienca dhe kjo është e vërteta. Tani shih këta çfarë bëjnë, që fusin në qerre familjarët e vet për deputetë. Thuaj tani. Ose thotë që, i ri jam antisistem unë. Antisistem e di çdo të thotë, do të thotë anarkist. Ndaj unë sot, nuk e kam paraqitur moshën si privilegj”.