E quajti të paligjshëm, Meta nis procesin e shkrirjes së parlamentit

AKTUALITET


Në kuadër të krizës aktuale politike, presidenti Ilir Meta ka bërë të premten lëvizjen e fortë duke iu drejtuar me letër Komisionit Qendror Zgjedhor.

Përmes kësaj letre ai kërkon që t’i vihet në dispozicion informacion i detajuar se sa është numri aktual i deputetëve në Kuvend, si dhe kërkon listën emërore të deputetëve aktualë në Kuvend, cilës bashki i përkasin dhe cilit subjekt parlamentar.

Në letrën e presidentit shtjellohet edhe vendimi i opozitës për të djegur mandatet si dhe vendimi i KQZ-së për t’i zëvendësuar ato me emrat e tjerë në listë.

Në bazë të Kushtetutës, kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë. Aktualisht në kuvend janë 122 deputetë, pra 18 deputetë më pak.

Prej kohësh diskutohet edhe ideja se ai mund të shpërndajë parlamentin me idenë se ai është i paplotë dhe jo në përputhje me detyrimin kushtetues, duke i hapur rrugën zhvillimit të menjëhershëm të zgjedhjeve të parakohshme.

Kujtojmë se më herët Meta e cilësoi ilegjitim parlamentin aktual.

Ndërkohë kohë më parë kreu parlamentar i PS Taulant Balla pati deklaruar se sipas ligjit, vendet e lëna të pambushura në listat e opozitës, duhet të mbusheshin me emrat nga listat e PS, porse kjo nuk do të kishte sens politik, pasi behej fjalë për vende të opozitës. Por në momentin që Meta synon të deligjitimojë Parlamentin me këtë argument, pra atë të numrave jo të plotë, ky qëndrim i PS mund të ndryshojë. Ndërkombëtarët kanë qenë të qartë se përveç datës së zgjedhjeve që nuk lëviz, gjithashtu edhe parlamenti duhet të jetë funksional. Ambasada e SHBA pas 16 shkurtit kur opozita dogji mandatet, i bëri thirrje kandidatëve në lista të marrin përgjegjësitë dhe mandatet e lëna. Mbi 30 prej tyre iu përgjigjën pozitivisht. Të gjitha mandatet e LSI u zëvendësuan dhe një numër jo i vogël, edhe nga listat e PD.



Skip to toolbar