“Edi është njësh”. Shëtitje e batuta mes Ramës e Vuçiç

AKTUALITET


“Shengeni Ballkanik” ka mbledhur në Novi Sad të Serbisë liderët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët pas takimeve zyrtare kanë gjetur kohë të bëjnë një xhiro buzëmbrëmje në  shëtitore ku kanë shkëmbyer batuta e komplimente me njëri-tjetrin.

Në një moment gazetarët që ndjekin zyrtarët e lartë e pyesin Vuçiçin se çfarë do të thoshte ky takim për

Ballkanin, ndërsa ai i është përgjigjur: “Edi is the guy…” (Edi është i pari/ i duhuri). Kryeministri Rama ka qeshur me batutën ndërsa e ka cilësuar të mahnitshëm faktin që liderët e Ballkanit janë bërë bashkë. “Është mahnitëse që jemi të gjithë këtu, duke u përpjekur të çojmë përpara atë që është thënë shpeshherë në raste të ndryshme së bashku me miqtë tanë europianë”, – është shprehur Rama.

Vuçiç më tej është shprehur se ky takim do të thotë shumë për tre vendet tona dhe rajonin në terësi.

“Jam i lumtur që filluam të kujdesemi për veten dhe nuk kemi nevojë për mësues që të mund ta bëjmë këtë. Me muzikën në Novi Sad, të punojmë për një të ardhme më të mirë për punëtorët tanë, fshatarët tanë, sidomos për të rinjtë që të qëndrojnë në vendet tona”, është shprehur presidenti serb.

Ndërsa Kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev tha në Novi Sad se përmirësimi i bashkëpunimit midis tre vendeve është i rëndësishëm sepse qytetarët e presin atë.

“Ky unitet që po prezantojmë këtu sot në Novi Sad është ajo që duhet të bëjmë të gjithë sepse ne përfaqësojmë qytetarët tanë, politikanët, biznesmenët, punëtorët”, është shprehur Zaev.

Krijimi i një “Shengeni ballkanik” qarkullon prej vitesh, por Kosova dhe Mali i Zi e kundërshtojnë ashpër me pretendimin se do të rikthehet ish-Jugosllavia.



Skip to toolbar