Edicioni i 9 i Parlamentit Frankofon në Tiranë, Veliaj: Viti i lidhjeve mes të rinjve nga mbarë bota!

AKTUALITET


Tirana është mikpritësja e radhës e Edicionit të 9-të të Parlamentit Rinor Frankofon 2022. Në kuadër të Kryeqytetit Europian të Rinisë, Tirana ka hapur dyert për një javë për punimet e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë. Në fjalën e tij, në Kuvendin e Shqipërisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu drejtua të rinjve frankofonë në gjuhën frënge dhe u shpreh se Kryeqyteti Europian i Rinisë, i cili u kthye në epiqendrën e mbi 1000 aktiviteteve rinore, kulmoi me çeljen e negociatave që shënuan një tjetër gur kilometrik në historinë e gjeneratës së re.

“Tirana është kthyer realisht në epiqendrën e vlerave europiane, një platformë për të shfaqur ide, projekte dhe aktivitete novatore, si një mundësi për të ngritur zërin e të rinjve në çdo nivel të vendimmarrjes. Është viti i lidhjeve mes të rinjve nga mbarë bota: vizitorë të panumërt, grupe, apo delegacione rinore po bëhen pjesë e kalendarit tonë të pasur prej mbi 1000 aktivitetesh vetëm në një vit. Është viti kur energjia rinore, me sa duket nuk ka ndërmend të shterojë. Është viti europian i të rinjve, tek e fundit dhe kryeqyteti, Tirana, u përket tërësisht atyre. Por, ka edhe një element identifikues i cili e bën edhe më të veçantë vitin 2022, tek i cili nuk mund të rri pa u ndalur! Kjo kurorë që i rri Tiranës bukur mbi krye e që gërsheton rininë në njërën anë dhe Europën nga ana tjetër, më duket se ishte një ogur i mirë për gjëra edhe më të mëdha, shumë më të mëdha sesa një qytet a kryeqytet: Shqipërisë iu hapën zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian! Po flas për një gur kilometrik në historinë e një vendi, mbi të gjitha në historinë e gjeneratës së re”, tha ai.

Veliaj shtoi se edicioni i këtij viti i Parlamentit Rinor Frankofon është një mundësi unike për shumë djem dhe vajza, që të shkëmbejnë ide për çështje që lidhen me politikën aktualitetin, por edhe me teknologjinë, inovacionin dhe sfidat e mjedisit.

“Nuk mund ta fsheh dot entuziazmin e mirëseardhjes së Parlamentit Rinor Frankofon, pikërisht sepse është një mundësi unike, e jashtëzakonshme, për shumë djem dhe vajza, që të shkëmbejnë pikëpamje, mendime, ide për çështje që lidhen me avancimin e demokracisë, fqinjësisë së mirë, politikën e zgjerimit të BE, integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, rolin e teknologjisë, inovacionit, artin, kulturën si dhe mbrojtjen e ambientit. Mezi pres që të rinjtë e Tiranës të ndajnë me të rinjtë e parlamentit frankofon projektet e tyre që kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë së jetës në Tiranë. Ky Parlament është gjithashtu, një mundësi fantastike edhe për ne të rriturit: Është një urë komunikimi mes nesh dhe të rinjve, thënë ndryshe mes botës së sotme dhe botës së nesërme,” nënvizoi Veliaj.

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, gjatë fjalës së saj u shpreh se organizimi në Tiranë i këtij edicioni dëshmon për angazhimin konkret të Shqipërisë për të qenë pjesë e përpunimit të politikave të Frankofonisë.

“Fakti që ky aktivitet, organizohet në Tiranë pak muaj pas organizimit të Asamblesë Rajonale Evropiane, është shprehje e angazhimit konkret të Shqipërisë për të qenë pjesë e përpunimit të politikave të Frankofonisë, ndaj jam shumë e lumtur që pjesëmarrja dhe shpërndarja gjeografike e delegacioneve në këtë Parlament Rinor të Frankofonisë është vërtet e admirueshme. Parlamentet rinore janë takime ndërkulturore dhe platforma shumë të rëndësishme që ndërtojnë ura miqësie përtej kufijve, ku ju të rinjtë, potencialisht politikanë të ardhshëm të vendeve tuaja, shkëmbejnë ide mbi çështje të tilla si shkollimi, marrëdhëniet ndërkulturore, gjeopolitika, mjedisi etj. Ata janë ushtrime të të jetuarit së bashku në solidaritet, me vlera të përbashkëta humaniste dhe duke respektuar diversitetitin, parim që është në themelin e kësaj organizate dhe është burim paqeje dhe prosperiteti për gjithë globin,” tha Felaj.

Sesioni u përshëndet edhe nga Presidenti APF-së (Assemblée Parlementaire de la Francophonie), Francis Drouin, dhe Kryetari i Misionit për Europën, Jean-Charles Luperto.



Skip to toolbar