Edit Harxhi: Kthimi i shpresës nis nga ringritja e së djathtës

OPINION


Edit Harxhi*

Shqipëria ndodhet sot në udhëkryqin më të madh që prej rënies së komunizmit  tridhjetë vjet më parë. Shqiptarët po ia mbathin nga  sytë këmbët dhe vala e viteve  të fundit të emigracionit është vala e të rinjve dhe e familjeve të reja, veçanërisht shtresa e mesme e arsimuar , e  cila, nga mungesa e ligjshmërisë dhe shpresës, po largohet pa kthyer kokën pas. Këta njerëz që sot largohen, madje edhe ata të cilët kanë marrë paga relativisht të larta për tregun shqiptar, por edhe profesionistë të mirë, dhe njerëz që duan të shpëtojnë dhe të gjejnë të ardhmen, janë fatkeqësisht ata që nuk do të kthehen më, pasi largohen nga mungesa e besimit që ky vend do të bëhet ndonjëherë. E gjithë kjo pjesë vitale e popullsisë, e cila e shpreh zemëratën me largim, duke u bashkuar me uljen e ndjeshme demografike të vendit si dhe gjithë të tjerët, të cilët kanë ulur kokën dhe i ka kapluar dëshpërimi social dhe apatia për të ndryshuar diçka, përbëjnë sinjalin më negativ të tridhjetë viteve të fundit. Fajtorët e këtij dëshpërimi duhet t’i gjejmë te vetja në radhë të parë, te ne që kemi lejuar me votë dhe pa votë, me moskokëçarje, por edhe me ndërgjegje që vendi të rrëshqasë në një diktaturë “moderne”, e cila ka shumë tipare të diktaturës komuniste që ne e kemi vuajtur pesëdhjetë vite, por e veshur me petkun e modernizmit dhe liberalizmit të shfrenuar, shumë larg nga liberalizmi klasik që ne synonim tridhjetë vite më parë. Ekonomia është rrënuar nga zhdukja me kujdes e shtresës së mesme që sapo kishte nisur të ngrihej njëzet vitet e fundit, biznesi i vogël dhe i mesëm që sapo kish nisur hapat e parë po zëvendësohet fuqishëm nga një kastë biznesesh të mëdha që fshihen pas disa emrave të njohur “oligarkësh”, të cilët nga hiçi arritën të bëhen miliarderë në kurriz të taksapaguesve të varfër shqiptarë, por edhe duke marrë financime okulte nga jashtë vendit dhe tani marrin format e të famshmeve PPP-ve, si afera të pastra korruptive dhe krejtësisht të pakontrolluara nga shteti që mungon.


Droga, krimi i organizuar dhe paligjshmëria janë ulur këmbëkryq dhe ne shqiptarët e thjeshtë vazhdojmë të vëzhgojmë, të diskutojmë me zë të ulët nëpër kafene e në shtëpi, duke menduar se dikush nga jashtë do të vijë të shpëtojë vendin tonë që lëngon dhe rrëshqet çdo ditë në paligjshmëri dhe nocioni shtet venitet dhe zhbëhet çdo ditë.

Ngjarjet e rënda tashmë nuk zgjasin as tri ditë, por zëvendësohen nga ngjarje të tjera më të rënda, të cilat kanë në kokë një regjim politikanësh të korruptuar, që mundohen të fitojnë dhe të majmen duke vendosur që nga prona e gjithsecilit prej nesh deri te Teatri Kombëtar, nga se kush do të drejtojë kanalet televizive dhe deri te mbyllja e mediave sociale, nga cila dosje hap Prokuroria e deri te çfarë vendimesh marrin gjykatat e mbetura ne vend, nga kush fiton ndërtimin e akseve rrugore e deri kush merr koncesionin e rrugës, së detit, të lumit, të ajrit e të ushqimit… dhe ne vazhdojmë e dëgjojmë, shikojmë, diskutojmë nën zë dhe nuk reagojmë, por vetëm presim se ndërkombëtarët do të zbarkojnë e do na shpëtojnë nga e keqja.

Ne vetëm tani kemi nisur të kuptojmë që problemi i këtij vendi është kasta aktuale politike, është “diktatura moderne me ngjyra” e qeverisjes aktuale, janë partitë politike që nuk ofrojnë alternativë, por vazhdojnë qahen dyerve të kancelarive ndërkombëtare, ata që kanë ndaluar meritokracinë, ata që kanë lejuar zgjedhjet e cenuara dhe cenojnë çdo ditë lirinë e zgjedhjes, duke përzier krimin apo oligarkinë që vetëm nuhat ndërrimin e pushtetit dhe ndërron kahe, ata që e kanë ngritur si majtas, edhe djathtas, piramidën e vendimmarrjes dhe jo demokracinë e brendshme, janë ata të cilët përdorin popullin si turmë dhe fasadë në gjoja platforma, protesta dhe tubime politike dhe jo si bashkëbisedues, janë ata të cilët si në pushtet, edhe jashtë tij, bëjnë marrëveshje në emër të popullit pa konsideruar të mirën publike dhe interesin publik, por vetëm majmjen e tyre.

Pra, ka ardhur momenti që ky popull të reagojë përtej apatisë dhe depresionit social dhe të largojnë këtë establishment (sistem politik) në të dyja anët dhe të dialogojmë për atë se çfarë mendon ky popull se duhet bërë ndryshe e të propozojmë një model zhvillimi ku shteti të ketë sa më pak fuqi mbi individin, mbi tregun, mbi biznesin, por edhe ta mbrojë; ku fermeri të tregojë vetë modelin si duhet të duket bujqësia shqiptare në tridhjetë vitet e ardhshme në mënyrë që të jetë konkurruese; ku studenti dhe pedagogu të tregojë modelin që do të shohë në arsimin e mesëm dhe të lartë, ku interesi publik t’i zërë vendin interesave të ngushta të biznesit në arsim e në çdo fushë; ku mjeku dhe specialisti i shëndetësisë duhet të vendosin mbi reformën në shëndetësi dhe mënyrat si mund të parandalohet ikja masive e mjekëve dhe infermierëve, imazheristëve dhe radiologëve; dhe gjykatat dhe sistemi i drejtësisë të jetë krejtësisht i pavarur dhe ku droga e krimi të mos jenë më pasaporta dhe reklama e Shqipërisë në botë.

Këtë mund ta ofrojë një e djathtë e riorganizuar, një e djathtë me vlerat e saj më të mira ideologjike, një e djathtë që nuk do të lejojë më që i gjithë pushteti politik i vendit të bjerë në dorën e një personi apo politikani të vetëm, një e djathtë që do të rikthejë decentralizimin territorial të vendit, një e djathtë që ofron konkurrencë në treg dhe biznes, një e djathtë që promovon pronën dhe fjalën e lirë si liritë themelore të njeriut, një e djathtë që e ka bazën e saj te traditat më të mira të vendit, tek antikomunizmi, Zoti, familja dhe sovraniteti, një e djathtë që promovon meritokracinë dhe zgjedhjet e lira brenda vetes, një e djathtë që nuk përjashton mendimin ndryshe, e një e djathtë që ndihmon për rrjedhojë në ringritjen e një të majte po aq konkurrente.

E pa një Parti Demokratike konkurrente dhe të reformuar në deje, të besueshme për popullin dhe për aleatët në botë, dhe që ndjell shpresë te çdo segment i popullsisë djathtas ose majtas, skena politike shqiptare do vazhdojë të lëngojë dhe kështu kasta e politikanëve që sot na udhëheqin në qeverisje dhe në opozitë, ata të cilët mbajnë peng zhvillimin dhe integrimin e vendit dhe kanë mbi supe fajin e keqqeverisjes, shkatërrimit të shtetit dhe “oligarkizmin” e vendit do të vazhdojnë të drejtojnë dhe për pak do ta çojnë vendin drejt greminës. Reformimi i skenës politike shqiptare si një emergjencë kombëtare duhet të ndodhë me nisjen e një dialogu të brendshëm mbarëpopullor, fillimisht brenda Partisë Demokratike dhe më pas i të gjithë shoqërisë.

Ky reformim duhet të nisë nga hapja e partisë, paraqitja e një platforme ideologjike kombëtare, rikthimi i intelektualëve dhe i njerëzve të thjeshtë, vijon nga faqja 1 ku ndërrimi i elitave politike të vendit dhe ndryshimi i strukturës politike dhe ideologjike të Shqipërisë 30 vjet pas rënies së komunizmit, të jetë thirrja për shpëtim kombëtar.

Rikthimi i demokracisë së brendshme, rikthimi i zgjedhjeve të lira brenda partive politike ku të mbizotërojë konkurrenca e jo fjala e kryetarit, fillimisht brenda partive politike pasi kjo reflekton në klimën e zgjedhjeve në të gjithë vendin, përgatitja e një Kodi Zgjedhor me lista të hapura, ngritja e një mekanizmi për ndalimin e financimeve okulte dhe nga grupe jashtë sistemit politik të partive politike, rikthimi i mendimit ndryshe në parti dhe kalimi i strukturave të brendshme partiake si struktura jo më në funksion të kryetarëve, rikthimi i debatit të hapur dhe thithja e mendimit programor nga anëtarësia, e deri te rikthimi i besimit të qytetarëve te shteti duhet të jenë tema të sinqerta të bashkëbisedimit qytetar me synimin e vetëm të kthimit të shtetit në funksion të qytetarit dhe jo anasjelltas siç është sot.

Për këtë arsye, është momenti për të nisur këtë bashkëbisedim me qytetarët shqiptarë nga veriu në jug, për të rikthyer në vend traditën e odës dhe për të ringritur përfundimisht të djathtën Shqiptare, brenda një Partie Demokratike të riorganizuar dhe që ngjall shpresë e që nuk jep ultimatume duke përdorur mekanizma ekstrapolitikë, marrëveshje okulte, opozitë pa strategji e protesta pa brumë, si e vetmja mundësi për të shpëtuar vendin nga e keqja më e madhe e tridhjetë viteve të fundit dhe këtij tranzicioni të tejzgjatur politik social dhe ekonomik, si dhe për të nisur një epokë të re me një elitë të re politike e një sistem drejtësie krejtësisht të pavarur që të jetë në shërbim të qytetarëve të këtij vendi.

Le të nisim me këtë bashkëbisedim mbarëpopullor dhe pa ngarkesën e politikanëve zullumqarë e individualist, të dëgjojmë dhe jo të flasim, të shikojmë dhe jo të japim opinione e më pas të kalojmë në etapën e re të përgatitjes së një programi për ringritjen kombëtare. Duhet të bashkohemi të gjithë, intelektualë, qytetarë të thjeshtë, gazetarë, arsimtarë, artistë, njerëz që duan kombin, familjen dhe Zotin, në këtë mision të madh për të shpëtuar vendin dhe për t’i thënë ndal shkatërrimit të shtetit para syve tanë nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm.

E atëherë kur ta kemi nisur këtë lëvizje mbarëkombëtare, mund t’i mbajmë shpresat që aleatët tanë realë do të kthejnë sytë përsëri nga ne e do t’i japin dorën e fundit ribërjes së Shqipërisë.

*Ish-zëvendësministre e Punëve të Jashtme




Skip to toolbar