Ardhja e Palmer (“armiku” i Metës e opozitës), Xhafaj: Kontribut për reformën në drejtësi

POLITIKË


Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj mirëpriti emërimin e Matthew Palmerit në detyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Nga ‘’Twitter’’, Xhafaj u shpreh optimist se ish-zëvendësndihmës sekretari amerikan do të kontribuojë shumë në instalimin e Reformës në Drejtësi, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Palmer u emërua në detyrën e re nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, ndërkohë që mund të cilësohet “armiku” i Metës dhe opozitës me mesazhet e forta që dha për 30 qershorin, duke sjellë prapësimin e opozitës për dhunë në ditën e zgjedhjeve. Ai ka dalë disa herë kundër opozitës dhe presidentit Meta duke bërë thirrje për qetësi në zgjedhjet e 30 qershorit si edhe ka dalë pro këtyre zgjedhjeve, pasi ai i shihte si zgjedhje që duheshin zhvilluar si zakonisht. Ai paralajmëroi para 30 qershorit se nëse do të kishte dhunë, krerët e partive do futeshin në listën e organizatave të rrezikshme. Palmer njohu rezultatin e zgjedhjeve më 30 qershor, duke thënë se ata që nuk e njohin (pra presidenti) të ankohen te Kushtetuesja kur të ngrihet.


Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka emëruar zëvendës ndihmës sekretarin Matthew Palmer, si të dërguarin e tij special në Ballkanin Perëndimor. “Në këtë rol, Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të përforcuar angazhimet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon si dhe do të përqendrohet në integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në institucionet europiane”, thuhet në deklaratën për mediat të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Si i dërguar special, Palmer do të udhëtojë për në Slloveni në 1 shtator për të marrë pjesë në Forumin Strategji në Bled. Ai do të përfaqësojë gjithashtu Shtetet e Bashkuara në takimin mes drejtuesve të Vendeve të Kuintit në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgorica, 4-10 shtator.




Skip to toolbar