Ekstradohet anëtari i bandës së “babagjyshëve”

AKTUALITET


Gjashtë vjet pas një nga grabitjet më të bujshme në Tiranë, është ekstraduar një prej anëtarëve të bandës, që në 24 dhjetor, grabiti me dhunë një argjendari në një qendër tregtare në periferi të Tiranës.

Policia e Shtetit njoftoi të dielën se është ekstraduar nga Hollanda 33 vjeçari Fatmir Pjetri, i lindur në Pukë, i akuzuar për disa vepra penale në Shqipëri, mes tyre dhe grabitja e argjendarisë në qendrën tregtare.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi: Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e dënoi me 30 vjet burg  për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Shtetasi Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Ai është autor i disa vjedhje në Kuçovë, Laç, Fushë-Krujë dhe e fundit ajo në Tiranë në prag të krishtlindjeve. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hague, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.



Skip to toolbar