Emrat e parë në polici, SHÇBA e gardë, që do kalojnë në sitën e vettingut

AKTUALITET


Zbulohet lista e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, të SHÇBA dhe Gardës së Republikës, të cilët do t’i nënshtrohen të parët procesit të vettingut.

Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, të parët në listë, që do t’i nënshtrohet vlerësimit kalimtar periodik janë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, zëvendësit e tij dhe drejtorët e departamenteve përkatëse. Po ashtu në këtë listë janë edhe drejtorët në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërsa krerët e drejtorive vendore të policisë, janë lënë për një raund tjetër.

Ndërkaq, edhe 12 oficerë të lartë të SHÇBA-së me në krye Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku janë në listën e parë që do të kalojnë në sitën e vettingut.

Ndërsa për Gardën e Republikës, në listë janë futur për vlerësimin kalimtar dhe periodik Komandanti i Gardës së Republikës, Gramoz Sako dhe zëvendësi i tij, Besim Shabani. Punonjësit e tjerë të Gardës pritet të jenë në listën e dytë të hartuar për këtë proces.



Skip to toolbar