UEFA vijon hetimet ndaj ekipit kombëtar të futbollit të Turqisë, për festën me përshëndetje ushtarake në ndeshjen ndaj Shqipërisë dhe Francës. Rreziku që qeveria evropiane e futbollit të ndëshkojë rëndë, deri në përjashtim të Turqisë nga garat evropiane, është evident. Duket se kjo gjë ka shqetësuar presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili sulmoi UEFA-n duke e quajtur “qëndrim diskriminues, të padrejtë dhe politik”, hetimin që UEFA po kryen për lojtarët e ekipit kombëtar turk.
“Ne hedhim poshtë qëndrimin diskriminues, të padrejtë dhe politik të UEFA-s kundër ekipit tonë dhe klubeve tona”, tha Erdogan, raporton e përditshmja spanjolle e futbollit AS. UEFA paralajmëroi më 15 tetor se nisi procedurat disiplinore kundër Turqisë, pasi disa futbollistë bënë përshëndetje të stilit ushtarak gjatë ndeshjeve kundër Francës dhe Shqipërisë. UEFA tha se përshëndetje të tilla shihen si “një sjellje e mundshme provokuese politike”.
Sidoqoftë, rezultatet e hetimit ende nuk janë njoftuar. “Të konsiderosh përkrahjen e lojtarëve ndaj ushtarëve si një sjellje provokuese politike është më shumë se një standard i dyfishtë, është paligjshmëri e hapur”, u shpreh Erdogan. Megjithatë, duket se shqetësimi i presidentit turk, bazohet mbi faktin se pasojat në rast dënimi ndaj kombëtares do të ishin të rënda, ku nuk përjashtohet as mundësia e përjashtimit nga ky kompeticion i kampionatit evropian.
Përshëndetjet ushtarake të lojtarëve turq erdhën në një moment kur qeveria e Turqisë sapo kishte nisur ofensivën ushtarake ndaj Kurdëve në Siri. Ndërkohë, në rast se UEFA ndëshkon kombëtaren turke duke e përjashtuar nga kompeticioni, Shqipërisë i krijohet një shans për tu kualifikuar në Euro 2020.