Pse u “çmend” Meta: “Venecia”, precedentë pro Vorpsit

#NËRADAR


Vetëm pak javë më parë, Ilir Meta zotohej se do të respektonte çdo qëndrim që Komisioni i Venecias do të jepte lidhur me faktin nëse ishte shkelur apo jo Kushtetuta në rastin e çdekretimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Një zotim të cilit Meta i qëndronte me forcë, ndoshta edhe i sigurt se Venecia do ta nxirrte fajtor, por jo deri në pikën që mund të shkruante të zezën mbi të bardhe se ai do duhej të shkarkohej. Por qetësia dhe dashuria e Ilir Metës për Venecian, ashtu siç ka ndodhur dhe më parë, mbaroi. Tani është koha e përplasjes.

Sot kreu i shtetit kundërshtoi qëndrimin e mazhorancës kur u shpreh se çështja e Marsida Xhferllarit dhe Arta Vorpsit do të dërgohet në Komisionin e Venecias për interpretim. Por në fakt, Komisioni i Venecias e ka një precedent lidhur ekzaktësisht me këtë rast, ai i Tunizisë në vitin 2015. Ku dhe atje ishte ngërçi i betimit te presidenti i vendit.

Në opinionin e tij, Komisioni i Venecias argumenton se edhe pse është një fuqi detyruese emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti, ky rregull nënkupton rrezikun që Presidenti të mund të parandalojë që kandidatët e zgjedhur nga dy organet e tjera të përmbushin mandatin e tyre të detyrës. Dhe për Venecian, zgjedhja e kandidatëve nga dy organet e tjera duhet të pasohet drejtpërdrejt me betimin, pa qenë i nevojshme një dekret i Presidentit.

Në po të njëjtin opinion Venecia e bën të qartë se në kushtet kur Presidenti mund të vonojë ose bllokojë betimin e anëtarëve të rinj për të marrë detyrën, kandidatët mund të betohen para organit që i zgjodhi ata.

E duket se ky precedent i Venecias, solli dhe shpërthimin, jo të pazakontë tashmë, të Presidentit Ilir Meta kundër Venecias, SHBA-së dhe cilitdo që mendon ndryshe nga ai. /Realstory.al/



Skip to toolbar