Fact Checking/ 3 listat e zeza të Bashës, nga oligarkët, kryebashkiakët dhe së fundi… mediat

#NËRADAR


Kryetari i opozitës jashtparlamentare, Lulzim Basha, i cili nxorri PD-në jashtë çdo pushteti dhe institucioni së fundi ka nisur të flasë si kryeministër dhe si kryeprokuror dhe në këto pozicione të reja që i ka dhënë vetes ka përpiluar edhe lista të zeza me emra konkretë. E ka nisur me oligarkët që janë sipërmarrës dhe biznesmenë të këtij vendi që kanë firmosur kontrata dhe kanë bashkëpunuar me të gjithë që kanë qenë në pushtet si me Ramën, si me Berishën ashtu dhe me vetë Bashën. Por ky i fundit një sërë prej tyresh i ka vënë në listë të zezë duke i kërcënuar madje se kur ai të bëhet kryeministër do t’i anulojë të gjitha koncesionet. Me emër e mbiemër PD ka hartuar listën e zezë të oligarkëve sipas Bashës.

Lista e biznesmenëve, që PD thotë se do iu sekuestrojë pasurinë

Vilma Nushi – përfituese e koncesionit të Check-Up it (120 milionë euro);

Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Salillari – përfituesit e koncesionit të ndërtimit dhe mirëmbajtes së rrugës Milot- Morinë;

Shkëlqim Demir Fusha – përfituesi kryesor nga Ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar

Klodian Zoto – përfitues i koncesioneve të ndërtimit dhe menaxhimit të inceneratorëve të Tiranës (128 milionë euro), Fierit (28 milionë euro) dhe Elbasanit (22 milionë euro);

Bashkim Ulaj – përfitues i koncesionit të ndërtimit të rrugës Tiranë- Thumanë- Vorë (225 milionë euro);

Idajet Ismailaj – përfituesi i ndërtimit të stadiumit kombëtar dhe kullës 24-katëshe;

Gentian Sula – përfitues i koncesionit të kontrollit të instrumenteve matës të karburantëve dhe gazit të lëngshëm;

Arjan Leskaj – përfitues i ndërtimit të hekurudhës Fier- Ballsh- Vlorë

Edmond Bego – përfitues i lejeve minerare në Elbasan;

Rrok Gjoka – përfitues i ndërtimit dhe menaxhimit të Rrugës së Arbrit (268 milionë euro);

Ilir Rrapaj – përfitues i koncesionit të sterilizimit (77 milionë euro);

Jani Karathano – përfitues i koncesionit të shërbimeve laboratorike (104 milionë euro).

Më pas vijoi me sulmet ndaj kryebashkiakëve socialistë, të cilët nuk pati kurajën t’i luftonte në garën e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke refuzuar në mënyrë të paprecedentë që partia më e madhe opozitare në vend të futet në zgjedhje. Por fill pasi dështoi me pengimin e zgjedhjeve si dhe me mos mbajtjen e premtimit për të mos i liruar zyrat e kryebashkiakëve demokratë në fund Basha u tërhoq duke lënë të vetëm edhe militantin më të thekur demokrat, Xhelal Mziu. Ky i fundit testoi deri në minutën e fundit mbështetjen e demokratëve, por e pa se nuk pati asnjë mbështetje nga lidershipi i partisë që nuk dërgoi në Kamëz as sa për një show mediatik asnjë nga figurat drejtuese, u largua nga zyra duke lënë përmbys foton e Ilir Metës që siç duket është kuptuar se ai është përgjegjësi i gjithë kësaj situate në të cilën ndodhet vendi. Si përfundim edhe për kryebashkiakët Basha ka një listë të zezë.

Lista e zezë e kryebashkiakëve të PS

Valdrin Pjetri kryebashkiaku i Shkodrës: Ka fshehur të kaluarën për trafik droge.

Pjerin Ndreu kryebashkiaku i Lezhës: Në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003 dhe i larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjime në dosjen 184 duke urdhëruar shkarkimin e mësuesve që nuk votojnë për PS.

Artur Bushi i Krujës: Mbaroi një mandat si bashkiak, trafikant në Itali

Dionis Imeraj, Valbona Sako, të dy të kapur në përgjimet e Dibrës, të dy mbrohen dhe promovohen nga Edi Rama.

Tërmet Peçi, Klement Ndoni, trafikantë droge, në vend që të shkojnë para drejtësisë, mbrohen dhe rikandidohen.

Agim Kajmaku, i kandiduar në Vorë, i dënuar në Greqi.

Rakip Suli i Kamzës, i kapur në vjedhje flagrante me tendera dhe qira shtetërore, në konflikt të hapur interesi me statusin e deputetit, në vend që të largohej si deputet dhe të ndiqej penalisht, e mbron dhe e promovon Edi Rama.

Dhe më e fundit është lista e zezë e medieve. Më herët Basha ka folur kundër tyre dhe i ka akuzuar se janë të kapura nga Rama, ku çdo kush në këtë vend e di se siç ka media të PS-së ashtu ka dhe media me shumicë që i shërbejnë PD-së. Por rasti më i fundit ishte konferenca për shtyp e së premtes ku Basha lëshoi akuza për merecenarë mediesh që paguhen nga Rama dhe oligarkët e tij dhe që punojnë me 3 skema sulmi ndaj tij. Basha përfshiu dje në këtë listë Tema tv duke iu përgjigjur gazetarit që e pyeti nëse PD do t’i rikthehet protestave në shtator pasi gjatë gushtit dhe gjatë korrikut nuk ka pasur të tilla. Por përgjigja e Bashës ishte kjo: “Që opozita do të vazhdojë me protestat dhe jo do t’i rikthehet, sepse nuk është larguar asnjëherë, për këtë nuk ka pikë dyshimi. Ndërsa ajo që thashë, që të jemi të qartë, – t’i do të jesh i qartë pavarësisht se TV do ta shtrembërojë, sepse hyn tek klientët më besnikë të qeverisë, ndër më të hershmit e qeverisë, të paktën këtë duhet t’ia njohim si meritë që ka qenë klient i Edi Ramës që në opozitë – është se në kërkojmë një zgjidhje politike”, tha Basha, por e vërteta është se PD i ndërpreu protestat dhe këtë Basha s’mund ta mohojë, sikurse bën.

Përsëri i pyetur nga TEMA TV nëse ka ndonjë informacion nëse pronari real i kompanisë Jehona Shpk, mund të jetë zoti Dollapi? Basha tha: “Jo! Kjo është një shpifje totale, tipike për pronarin e Temës, sepse ai është mësuar me lojëra të tilla”.

I pyetur nga një tjetër gazetar nëse ka një përçarje mes partive të opozitës nisur nga fakti se aleatët e tij janë regjistruar për zgjedhjet e 13 tetorit dhe PD jo, madje ata kanë pranuar bisedime me Ramën kryeministër dhe PD jo, Basha përgjigjet:

“Ndaj qëndrimi i Opozitës së Bashkuar është ai që sapo ju shpreha dhe gjithçka tjetër është pa vlerë në këtë diskutim. Mund të ketë vlerë gazetareske për të mbushur lajmet e ditës, por nuk ndryshon asgjë në qëndrimet tona politike, të cilat janë të pandryshuara dhe janë të marra me konsensus dhe unanimitet të plotë në gjirin e një opozite të bashkuar, ndryshe nga çfarë synon ta shesë Edi Rama me mercenarët e tij politikë dhe mediatikë, për të cilët po hidhet para e madhe këta muaj të verës për të përdorur të vetmen levë që i ka mbetur, përçarjen e opozitës, përçarjen e Partisë Demokratike”.

Po kështu edhe KLAN plus është në listën e zezë të Bashës. Gazetari e pyeti të premten se pas gënjyet për 30 qershorin se nuk do njihet dhe pasi gënjyet se nuk do lironi zyrat e bashkive pse duhet t’ju besojnë demokratët dhe shqiptarët, kur ju thoni se nuk do të ketë një marrëveshje me kryeministrin Rama?

Basha shprehet: “Sepse të dyja parashtrimet që bëre janë të gabuara dhe vijnë direkt nga kuzhina e Edi Ramës. Dhe është një linjë grafike e mënyrës sesi mundohet ta zhvendosë vëmendjen  e diskutimit nga ajo që është tek ajo që do të jetë ai”.

Më herët në një deklaratë të bërë në 20 qershor Basha ka sulmuar ashpër dhe dy televizionet Tv Klan dhe Top Channel duke i cilësuar ato si “vegla qorre” të Ramës. Pra lista e zezë e medias është e 3-ta e hartuar deri tani nga Basha që është ende një opozitë jashtëparlamentare. Deri sa të vijë në pushtet ndoshta do të ketë të tjera lista, ose ndoshta edhe këto që ka tani zhbëhen. Kjo mbetet për t’u parë./Realstory.al



Skip to toolbar