Fatos Klosi: Pse SPAK kërkoi ‘arrest shtëpie’ me policë tek dera e ndalim komunikimi për Berishën. Terrori që po kalon Meta

Më të fundit


Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Dje, në një intervistë për gazetën “Sot”, i pyetur lidhur me prishjen e vendimit të Apelit nga Gjykata e Lartë për vulën e Partisë Demokratike dhe rikthimin e çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me një trupë tjetër, ai u shpreh se këtë vendim e sheh si plot vendime të tjera, ku sipas tij gjykatat nuk kanë këllqe për të mbajtur qëndrime të prera. Ai theksoi se të gjitha gjykatat edhe e Apelit edhe e Larta duan që ta heqin përgjegjësinë nga vetja dhe japin vendime përgjysmë. Lidhur me masën e arrestit në shtëpi që u vendos për Sali Berishën, i pyetur nëse e mendonte se do të vinte kjo ditë për ish-kryeministrin, ai u shpreh se nuk e mendonte, pasi u shpreh se nuk ka qenë aq entuziastë se këto gjëra do të ndodhnin.

Teksa foli se si e sheh opozitën me ikjen e ish-kryeministrit, ai tha se pa Berishën bëhet, ndërsa me Berishën nuk bëhet. Ai tha se shpreson që të ketë një opozitë tjetër pa Berishën, pa frymën që sipas tij Berisha ka sjell në politikë që është fryma e sharjeve dhe e përçarjeve. Sa i përket një tërheqje të Ilir Metës nga politika këto kohë, nëse ka ardhur si pasojë e frikës se mos e pret i njëjti fat si Berishën, ai tha se nuk e beson se ai është trembur nga drejtësia. Sipas Klosit, Meta është trembur nga politika, sepse partia e tij ka mbetur në hiçgjë. Lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Strasburgut për Aleks Nikën, e cila ka thënë se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, Klosi tha se nuk janë bërë hetime serioze, pasi ai mbeti pa vrasës.


Ndër të tjera, ish-kreu i SHISH Fatos Klosi, u shpreh se nuk është e mundur që një vrasje para syve të gjithë botës dhe të mos gjendet autori. I pyetur nëse mendon se do të ketë emra nga opozita që do të shpallen “non grata” pasi disa prej tyre nuk po zbatojnë kërkesat e ndërkombëtarëve për shkëputjen nga mbështetja e të korruptuarve dhe “non-gratave”, ai tha se do të ketë nga të gjithë jo vetëm nga opozita.

-Zoti Klosi, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit për vulën e Partisë Demokratike dhe e riktheu çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me një trupë tjetër. Kjo është një fitore e vogël për Berishën që kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të 3 marsit të Apelit. Tashmë vula nuk është më në dorë të Bashës deri në një vendim të dytë të Apelit edhe pse ai në gjykatë figuron kryetar i Partisë Demokratike. Si e shikoni këtë vendim?

Këtë vendim e shoh si plot vendime të tjerë, ku gjykatat nuk kanë këllqe për të mbajtur qëndrime të prera. Të gjitha gjykatat edhe e Apelit edhe e Larta duan që ta heqin përgjegjësinë nga vetja dhe japin vendime përgjysmë, të kthehet në Apel, të rishikohet. Nuk besoj se është në favor të atyre ose këtyre, problemi është i gjykatave sesa politikës, pra i Berishës do të ketë apo jo vulën. Ankesat se ne nuk kishim vulën apo emrin tonë, ata u bashkuan me Ilir Metën dhe prapë nuk ja dolën. Berisha e ka marr rrugën e vet tani dhe as perëndia nuk e kthen dot më mbrapa, jo më lojërat e gjykatave.

-Për ish-kryeministrin Sali Berisha është vendosur masa e arrestit në shtëpi me policë të dera dhe ndërkohë kontakte do të ketë vetëm me familjarët. Mendonit se do të vinte kjo ditë për Sali Berishën, apo ky është fillimi për të për të gjithë të zezat që ka bërë?

Nuk e mendoja. Nuk kam qenë aq entuziastë se këto gjëra do të ndodhnin, por mesa duket reforma në drejtësi dhe faktori ndërkombëtar ka bindjen se kjo reformë është e domosdoshme dhe ata po këmbëngulin që të funksionojë. Një muaj më parë i morën ata të SPAK i çuan në Amerikë, ndenjën nja dy javë. Këto janë mesazhe se SPAK është i tyre dhe është në rrugë të drejtë dhe se mbështetet nga ndërkombëtarët, pavarësisht se në Shqipëri është akoma herët që të pretendosh rezultate të SPAK dhe të gjykatave. Këto janë shenjat e para dhe të rëndësishme që tregon se politika nuk është më ajo që komandon drejtësinë. Ata duhet që të bëhen të ndërgjegjshëm se janë të rëndësishëm në këtë vend. Nuk i quaj këto të rëndësishme më shumë se sa mesazhi që po jep kryesisht SPAK që nuk do t’ia dijë, sepse gjykata nuk e ka marr dot veten. Ata nuk bëjnë lojëra me Berishën, sepse me atë nuk luhet, pasi ka qenë politikani që ka pasur më shumë pushtet në këto vite 30 vite, se ka qenë në pushtet edhe president edhe kryeministër, edhe kur ishin socialistët gjithmonë e kishin merak për çdo vendim që merrnin, “po Berisha çfarë do të thotë”. Kështu që Berisha ka qenë politikani numër 1 që ka lënë më shumë gjurmë në jetën politike, parlamentare dhe mbase edhe ekonomike.

Besoj se ata janë menduar shumë kur kanë dhënë këtë vendim, pra arrest shtëpie, mbase edhe për moshën që ka dhe të mos prishen provat. Ndërkohë, atë e pyetën disa gazetarë: A do të bëhesh sërish kryeministër dhe ai tha nëse më do populli. Berisha nuk është në këtë botë, ai akoma ose bënë sikur nuk e kupton ose kështu i duhet që të bëjë. E ka zgjedhur këtë qëndrim që të bëjë sikur nuk e kupton diçka. Unë i kam ndjekur fjalimet e tij edhe janë broçkulla. Tregojnë se është shumë larg realitetit. Ai duke qenë në krye të grupimit të vet edhe pse janë shumë anëtarë të Partisë Demokratike, por prapë nuk mjafton sepse ajo shumicë është pak për të fituar zgjedhjet. Nuk ka rëndësi ca ka thënë gjykata, por se ku është Berisha.

-Çfarë na pret politikisht në vitin 2024, si e shikoni opozitën me ikjen e ish-kryeministrit Sali Berisha?

Opozita me Saliun në krye ka qenë e vështirë për pozitën, sepse ka pasur probleme, besoj se do të ketë më pak probleme jo në kuptimin që do ketë më pak frikë, por Saliu e ka quajtur veten dorë e fortë. Ndërkohë, opozita e ardhshme pa Saliun nuk bëhet me një njeri si caktoi ai Lulzim Bashën. Bëhet me udhëheqje kolektive, ai duket ta mendoj këtë punë nëse do të lërë pasardhës. Opozita e re duhet që të jetë ndryshe më e qetë dhe më e arsyeshme, që të bëjë politikën e saj për çdo gjë dhe jep mendimin e saj si edhe për çdo mendim që merret nga pozita. Pra tregon versionet e veta të vendimeve që do merrte nëse do të ishte në pushet, të mos merret me sharje, por të thotë për çdo vendim që merret unë kam këtë version dhe këtë mendimin. Bëjmë një referendum të shohim popullin se çfarë mendon dhe vlerëson mendimin e pozitës apo të opozitës. Pa Berishën bëhet, me Berishën nuk bëhet. Rithemelimi nuk themelohet kështu, me Berishën nuk ke se çfarë të themelosh. Pati kohë të tregonte se çfarë dinte të bënte se ishte president dhe kryeministër, duhet ta kishte treguar se s’ishte periudhë e gjatë. Ka gjetur tani përdor edhe termin konservatorizëm, vetë nga termi konservator është të ruash, nuk e di se çfarë do të ruaj ai, çfarë ka në Shqipëri për të ruajtur. Këtu duhet riparë çdo gjë. Unë shpresoj në një opozitë tjetër pa Berishën, e quaj atë përgjegjës për këtë frymë që e futi Berisha, sepse në Parlament shahen dhe vetëm trazira, pra futi këtë frymën e sharjeve dhe të përçarjeve.

-Përveç ikjes së Sali Berishës, po shohim se prej muajsh ka një tërheqje të kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta nga politika. Ai jo vetëm ka braktisur protestat që ka organizuar Berisha, por edhe nuk po shfaqet as në media. A mos vallë ish-presidenti ka frikë se mos e ndjek i njëjti fat si Berisha për shkak të dosjeve të shumta që ka në SPAK?

Nuk besoj se ai është trembur nga gjykatësit dhe nuk merret më me politikë, kam përshtypjen se është trembur nga politika, sepse partia e tij ka mbetur në hiçgjë. Ai tani nuk ka pasur rastin që të përdorte vende pune të qeverisjes për anëtarët e vet të partisë. Ajo parti që në fillim është mbështetur në ofertën që i bënte anëtarëve të vet nëse do të vinte në pushtet për një vend pune. Asnjëri nuk beson më se ai mundësitë për të ofruar poste. Kanë mbetur shumë pak njerëz në atë parti, personazhi më i rëndësishëm i tij është ai që e solli nga presidenca, që nuk kishte asnjë lidhje me partinë dhe tani bën fjalime në emër të Ilirit. Ia ka mbushur mendjen Iliri se është i aftë për të mbajtur fjalime dhe nuk e di se kush ka mbetur në atë parti.

-Vetë SPAK ka nisur sekuestrime provash në familjen “Meta”, madje Monika Kryemadhi konfirmoi pak ditë më parë se SPAK i ka futur nën hetim pasuror, a mendoni se mund t’i fundosë pasuria?

Hetimi pasuror është rekomanduar nga partnerët ndërkombëtarë. Ata gjithmonë kanë thënë ndiqni paranë, për të parë se nga ka ardhur dhe si ka ardhur dhe më pas mund të nxjerrësh konkluzione shumë më kollaj. Detaje nuk di asgjë, uroj që të dal e vërteta. Qe një periudhë e gjatë ky tranziconi dhe një përmbysje e madhe nga ai sistem në këtë sistem. Ishte tjetër gjë, shumë larg asaj që quhet demokraci dhe në ’92 në zgjedhjet e dyta që u bënë, e gjeti vendin të papërgatitur për një klasë politike, u improvizuan politikan disa njerëz të cilët u treguan të shkathët në atë kohë dhe një prej tyre ishte edhe Berisha dhe plotë të tjerë. Edhe në PS dhe në PD, ishin diletantë në politikë, u formuan rrugës dhe duke mos pasur paraardhës edhe gabuan, por duke qenë në pushet nuk ishte e lehtë që t’ia evidentoje gabimin. U bënë ca reforma në fillim, shpërndarja e tokës ishte një çmenduri dhe plotë gjëra të tilla të mëdha dhe pasojat janë këto që tranzicioni është duke zgjatur shumë. Gjatë këtyre 31 viteve u formua klasa politike, por a mjafton 31 vite për një klasë politike, them se jo sepse kjo është një klasë pa tradita. Ai sistem kishte njerëz të mençur, por duhet edhe pak eksperiencë përveç mençurisë. Më pëlqen që ta quaj sukses reformën në drejtësi, sepse mungonte deri më tani. Drejtësia më parë ka qenë nën komandën e politikës dhe se ka bërë punën e vet. Problematikat drejtësia i zgjidh. Ligjet ishin por duheshin zbatuar, ato nuk zbatoheshin, ai sistem nuk i zbatonte sepse urdhërohej nga politika. Sistemi i drejtësisë duhet që të bëhet autonom. Edhe emërimet nuk duhen bërë nga politika, sepse mund të reflektojnë interesat politike, duhen bërë vetë nga drejtësia, siç e kanë plot shtete. Mbaj mend në Itali, drejtësia e përmbysi sistemin politik që ekzistonte, njerëzit e vjetër ikën të gjithë.

-Pak ditë më parë, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha ngjiti shkallët e Gjykatës së Posaçme, ku dëshmoi lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Javën që kaloi ai ju shmang thirrjes, por këtë herë u paraqit që herët në mëngjes. Si e shikoni këtë zhvillim?

Do paraqitet sepse ai nuk është babai i tij, sepse babai i tij nuk u paraqit dhe ja shtrënguan pak dorën. I kam parë edhe deklaratat e tij kur doli nga procesi dhe tha nuk kam asnjë lidhje dhe këtu gaboi. Të merresh me Berishën dhe me familjen e tij nuk është lojë, ata janë menduar mirë. I biri ka qenë i ngatërruar në Gërdec, ai tha jo. Berisha i është trembur deklarimeve në procese gjyqësore, e përdori shumë vrasjen e Azem Hajdarit, ai ka ndihmuar në atë vrasje kur mund ta kishte penguar dhe pas ngjarjes tha kush e kishte vrarë dhe gaboi që tha se e dinte para se të ndodhte, por për ta shfrytëzuar në politikë, e shfrytëzoi dhe ka treguar shumë gjëra për atë vrasje dhe nuk pranoi që të shkonte në prokurori. Ai kurrë s’ka pranuar që të deklaroj me betimin në prokurori dhe në gjykatë. Ai deklarata me betim nuk ka bërë kurrë.

-Vendimi i fundit i Gjykatës së Strasburgut për Aleks Nikën, që u vra në 21 janar thotë se ka dy shkelje në këtë çështje: Vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes. Po ashtu, ndër të tjera në vendimin e kësaj gjykate theksohet se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa fajtori duhet të dënohet. Pra Strasburgu i dha një goditje tronditëse Sali Berishës dhe çetës së tij që zbatuan urdhrat për vrasjet në “21 janar”. Si e komentoni këtë vendim?

Nuk janë bërë hetime serioze. Ai mbeti pa vrasës, të tjerëve iu gjet një njeri sipas gëzhojave dhe ata thonë ky hetim s’ka qenë serioz. Nuk është e mundur që vrasje para syve të gjithë botës dhe të mos gjendet, ndërkohë bëhet një vrasje në mal edhe bëhen hetime dhe gjendet autori. Institucionet nuk bashkëpunuan dhe çdo gjë u orientua tek ata që tërhoqën këmbëzën e armës. Berisha tha edhe Ramën do ta kishte vrarë, që donte të thoshte këta 4 mirë bëra që i vrava dhe se mund të vrisja edhe të tjerë nëse do të ishte nevoja. Vrasjet ndodhën kur njerëzit pjesa më e madhe ishte larguar, duket edhe në fillimet e kamerave që ishin shumë pak njerëz kur ndodhën vrasjet. I gjithë procesi ka qenë një proces absurd. U dënuan gardistët, ata e dinë që në turmë nuk qëllohet në turmë, vetëm kur sheh që ka rrezik për veten ose për atë që po mbrojnë. Ata e dinë kur përdoret arma, aty është dhënë një urdhër dhe ata nuk kanë pasur se çfarë të bëjnë. Nuk është Luli nga ata që jep urdhra të tillë.

-Si i komentoni përgjimet e “SKY ECC”? Aty thuhet se dalin gazetarë të njohur që bashkëpunojnë me krimin dhe politikanë që kanë porositur vrasje?

Nuk çuditem fare. Këta që përdorin një sistem të tillë kanë diçka për të fshehur. Edhe ministria vendosi që ti kaloj në sitë ata që e kanë përdorur këtë sistem, nuk besoj se ata kanë folur me familjen ose për të pirë kafet. Mbase gazetarët e kanë përdorur për të marr vesh ndonjë lajm para të tjerëve.

-Thuhet se amerikanët dhe britanikët pritet të sjellin një tjetër “listë të zezë”. Mendoni se do të ketë emra nga opozita pasi disa prej tyre nuk po zbatojnë kërkesat e ndërkombëtarëve për shkëputjen nga mbështetja e të korruptuarve dhe “non-gratave”?

Mendoj se do të ketë nga të gjithë. Edhe opozita ka qenë shumë vite në pushtet dhe kanë ndodhur plot gjëra, edhe pozita u bë shumë vite në pushtet dhe ka pasur probleme. SPAK po merret me ta ka vënë në siklet plot të rëndësishëm deri tek ish-zv kryeministri. Unë jam i sigurt se do të ketë edhe të tjerë.

-Si e shikoni qeverisjen “Rama”, do e ketë më të lehtë fitoren e një mandati tjetër me ikjen e ish-kryeministrit Sali Berisha nga politika?

Unë kam deklaruar se e ka më të lehtë. Kjo qeveri është më e mira në treg, s’po futem në detaje se i dinë të gjithë, disa të tjerë edhe i hedhin poshtë si Berisha që thotë Rama kështu e ashtu. Partia Socialiste është partia që është më e mira, unë e quaj të sigurt edhe fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Duhet edhe një brez i ri që të vij dhe të nxjerr mësim nga ato që ka bërë Berisha. Jemi në një tranzicion që duhet që të presim edhe qeveri më të mira, kjo që është sot është më e mira, nëse do kishte një më të mirë ku ta gjesh tek Berisha dhe tek ata që atij i shkojnë nga pas.

-Edhe pak ditë edhe mbyllet viti 2023, ishte një vit që pati shumë zhvillime politike, goditje nga ana e SPAK për personat e korruptuar, si e shihni 2024 do të vijojnë goditjet për personat e korruptuar nga SPAK?

Shpresoj se po që ta vijojnë këtë punë për sa kohë që hapat që kanë marr deri tani janë pëlqyer. Amerikanët nuk i morën kot në Amerikë, për këtë guxim që i duhej dhe ja kanë dhënë. Unë mendoj se shumë gjëra të tjera që deri dje ishin të pamundura që të trajtoheshin, do të trajtohen.




Skip to toolbar