Joao Felix ka shkëlqyer në përballjen me idhullin e tij, Cristiano Ronaldo, duke i dhënë arsye çmimit të tij 126 milionë euro. Atletico Madridi ka mposhtur Juventusin 2-1 në Friends Arena të Stokholmit në ndeshjen e fundit të International Champions Cup dhe e ka mbyllur në vend të dytë të renditjes, pas kampiones Benfica.
Ishte Thomas Lemar ai që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 24’ të takimit pas asistim të Joao Felix. Pas barazimit të Khedirës, ai tregoi edhe një herë talentin e tij të jashtëzakonshëm. Këtë radhë ai mori një top të gjatë nga mesfusha dhe me një shkëputje e dërgoi sferën pas krahëve të Shczesnji, për t’i dhënë avantazhin 2-1 ekipit të tij. Në pjesën e dytë, zëvendësimet bënë të vetën që ritmi i lojës dhe saktësia para portës të ulej dhe rezultati nuk ndryshoi më, me Atleticon që mbylli me sukses turneun më një fitore.
Numri 7 i Atletico-s ka dalë fitimtar ndaj idhullit të tij Cristiano Ronaldo, i cili ishte në hije këtë ndeshje. Juventusi e mbylli turneun në vend të nëntë, me vetëm dy pikë të grumbulluara.