Ferrari e Vettel i dhuruan fitoren e Çmimit të Madh të Rusisë rivalit të tyre Lewis Hamilton me Mercedes. Dy makinat kokëkuqe e nisën mirë garën, me Vettel që parakaloi që në start duke u ngjitur në krye të garës. Pas tij ishte shoku i skuadrës, Charles Leclerc, që mbajti Lewis Hamilton në vendin e tretë. Por kur Leclerc kërkoi që të parakalonte shokun e skuadrës, Vettel refuzoi.
Kjo gjë shkaktoi një rrëmujë të vërtetë në strategjinë e kokëkuqes, pasi piloti nga Monako bëri dy pitstope, në një kohë që Vettel u detyrua të tërhiqej nga gara pasi pati një problem në motor. Hamilton mori kryesimin e garës dhe pas tij doli Valtteri Bottas. Shumë i irrituar nga strategjia e ekipit është shprehur pas garës piltoi i Ferrarit Charles Leclerc, duke e cilësuar “trup” për skuadrën atë që ndodhi të dielën.
“Të paktën jemi të qëndrushëm. Është mirë të jemi përsëri në podium, por është turp për ekipin që nuk është makina e dytë këtu. Nga ana jonë çdo gjë ishte në rregull. Mercedes është akoma shumë më i shpejtë, në krahasim me kualifikimin. Duhet të flas me ekipin për të mësuar më shumë rreth asaj që ndodhi”, u shpreh në fjalët e para për mediat piloti i Ferrarit.