Vettel e Leclerc “fluturojnë” në Singapor

SPORT


Një garë e çmendur në pistën e Marina Bay në Singapor, në fund triumfon Ferrari me dy pilotët e tij. Sebastian Vettel është rikthyer te triumfi në Formula 1, pasi të dielën ka arritur të rrëmbejë Çmimin e Madh të Singaporit. Piloti gjerman i kokëkuqes bëri një garë të shkëlqyer, e kordinuar në perfeksion dhe me strategjinë e skuadrës. Vettel e nisi garën i treti këtë të diel, por arriti të parakalonte rivalin e Mercedes, Lewis Hamilton dhe shokun e tij të skuadrës Charles Leclerc, pasi bëri vetëm një pitstop.

Kjo strategji rezultoi pozitive duke e rikthyer Vettel triumfues në një nga pistat e tij të preferuara në Formula 1. Ndërkohë, në vendin e dytë u rendit piloti tjetër i Ferrarit, Charles Lelclerc, i cili e nisi garën nga polet. Megjithatë, kjo është fitorja e parë e dyfishtë e Ferrarit, gjë që nuk ndodhte prej vitit 2017 në garën e Çmimit të Madh të Hungarisë. Ndërsa vendi i tretë në këtë garë shkoi për Max Verstappen me Red Bull.


Dy pilotët e Mercedes, Hamilton e Bottas, u renditën përkatësishtnë vendin e katërt e të pestë. “U befasova kur dola përpara. Isha pak i djersitur. Jam shumë i lumtur. Ishte një garë e shkëlqyer. Para së gjithash dua të falenderoj ekipin. Kemi bërë një nisje jo të mirë të sezonit, por tani jemi rikthyer. Jam shumë krenar për punën e bërë në skuadër”, ka thënë Vettel pas përfundimit të garës. Ndërkohë, kampionati vijon të udhëhiqet nga Hamilton i cili ka 296 pikë, i ndjekur në vend të dytë nga Valtteri Bottas me 231 pikë dhe në vendin e tretë Charles Leclerc me 200 pikë.




Skip to toolbar