Festat, kthehen 250 mijë emigrantë në 7 ditë. Shtohen masat në dogana

AKTUALITET


Policia Kufitare, në Kakavijë dhe Kapshticë, ka shtuar pikat e kontrollit të udhëtarëve për shkak të fluksit të emigrantëve që vijnë në vendin tonë për shkak të festave. Me anë të një komunikate për mediat, Policia e Shtetit thotë “përgjatë javës, nëpërmjet pikave të kalimit të kontrollit kufitar kanë hyrë në Shqipëri mbi 250 mijë shtetas dhe 70 mijë automjete”.

Ndërkohë, në të gjitha pikat e kalimit, vijon zbatimin e masave për eliminimin e radhëve dhe krijimin e lehtësirave ligjore, duke aplikuar kontrollet e lehtësuara kufitare. Sipas Policisë së Shtetit, në dy pikat e kufitare me Greqinë, po bashkëpunohet dhe me homologët e vendit fqinj me qëllim shmangien e radhëve të gjata. “Njëkohësisht, në Kapshticë e Kakavijë vijon bashkëpunimi mes dy policive, me qëllim që edhe Policia Kufitare greke të aplikojë masa të njëjta për të siguruar një lëvizje të njëtrajtshme dhe eliminuar radhët”.

Policia thotë se është vigjilente edhe për goditjen e paligjshmërisë në pikat kufitare. “Policia Kufitare ka shtuar edhe kontrollet ne vijën e dytë në dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave të mundshme për trafikim të lëndëve narkotike duke përfituar edhe nga fluksi, ku në bazë të analizave të riskut, mjetet me risk kalohen në vijën e dytë dhe në skaner, për kontroll më të imtësishëm. Në kufirin jeshil janë shtuar patrullimet në bashkëpunim me FRONTEX-in dhe me Policitë Kufitare homologe, me qëllim kontrollin sa më të mirë të kufirit, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë”, thuhet në deklaratë.



Skip to toolbar