Festivali ballkanik i inovacionit, mbi 5 mijë të rinj do të mësojnë kodimin

AKTUALITET


Tirana priti Festivalin më të madh të inovacionit për rajonin e Ballkanit “INN Fest 2019”, i cili u kthye në një pikëtakim për shumë kompani nga e gjithë bota, që sollën risitë më të fundit teknologjike. Në hapjen e takimit, ku morën pjesë mbi 1500 sipërmarrës dhe drejtues kompanish, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kryeqyteti ka përqafuar teknologjinë inovative si një mënyrë për të ecur përpara dhe për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve.

“Dita më e rëndësishme është dita pas konferencës sepse shohim sa do zbatohen ato që themi, sa përkthehen në investime konkrete, i cili më pas materializohet në një produkt që testohet në treg. Një nga avantazhet e të qenit vend në zhvillim është se ne mund të kalojmë disa faza të industrializimit; pra, Tirana nuk ka më nevojë të mendojë sesi do të bëjë atë që bëri Viena apo Zagrebi me autobusët me kabllo elektrike sepse sot është koha e autobusëve elektrikë, mund të kalojmë direkt aty”, tha ai, teksa solli shembullin e suksesshëm të aplikacionit me të cilin bashkia bëri evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se një nga nismat e bashkisë është edhe rrjetëzimi i Piramidës, e cila do të transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë së inovacionit. Veliaj theksoi se rreth 5 mijë të rinj të kryeqytetit do të kenë mundësi të mësojnë gjuhën e kodimit, që më pas mund të rekrutohen nga biznese të ndryshme. “Sot, më vjen ta keq them, nuk mjafton 10-ta dhe anglishtja nëse nuk dimë kompjuterin. Ndaj, ky investim është në të mirën edhe në të ardhmen e këtij qyteti. Ajo që duam të bëjmë është që çdo vit të trajnojmë deri në 5 mijë fëmijë nga mosha 6 deri në 18 vjeç. Do të shfrytëzojmë hapësirën e Piramidës për disa nga këto kompani ose start up-e, të cilët do të kenë mundësi të ‘inkubohen’ aty, por edhe të rekrutojnë talente nga të diplomuarit në Piramidë”, deklaroi ai.

Sipas tij, pavarësisht skepticizmit fillestar të një pakice për çdo projekt të bashkisë, koha ka treguar se ato kanë qenë të suksesshme. “E kam hasur dozën e cinizmit dhe të skepticizmit në shumë nisma. Mbaj mend kur filluam me kopshtet, me çerdhet, thoshin: “Po ik, o Lali, se s’ka filantropi këtu! Ku jep shqiptari lek”. Ne cinizmin e kemi sport kombëtar, jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan, pra gjejmë arsye që gjërat të mos funksionojnë. Ndërkohë, më pëlqen që sot kemi njerëz që gjejnë të vetmen arsye pse gjërat do të funksionojnë”, nënvizoi Veliaj, teksa tha se qytetet gjithnjë e më shumë po i kushtojnë një vëmendje inovacionit dhe teknologjisë digjitale.

INN Fest 2019 është krijuar për të qenë konferenca më e rëndësishme rajonale për inovacionin dhe teknologjinë e që synon mbështetjen, investimin dhe zhvillimin e ideve të reja inovative mbi industritë dhe ndërmarrjet.



Skip to toolbar