“Finalja” e parë e Champions/ Paris SG-Bayern, sfida e madhe në gjysmëfinalet e turneut

Më të fundit


Spektakli është i sigurt që do të jetë në fushë. Kur themi Bajern dhe Paris SG, do të thotë futboll sulmues i nivelit më të lartë, dhe këto dy superfuqi do të vihen përballë njëra-tjetrës në gjysmëfinalen e parë të Championsit, sonte në orën 21:00.

Do të luhet në “Parkun e Princave” dhe yjet me të dyja fanelat vijnë në përballje me moral të lartë. Bajerni eliminoi rekordmenin e titujve në Ligën e Kampionëve, Realin, madje me dy fitore, edhe pse pati dramë në Mynih.

PSG, kampione e Europës në fuqi, mundi ekipin e tretë më të titulluar në Champions, me 6 tituj po aq sa bavarezët. Edhe të besuarit e trajnerit Luis Enrike mund të mburren se fituan dy herë, dhe dy herë nga 2-0.

Si vijnë skuadrat në sfidën e sotme?

Parizienët kanë vetëm një mungesë, edhe pse jo të rëndësishme, dhe shpresojnë që magjistari I mesfushës, Vitinja, të mund të dalë në fushë pasi ka munguar disa kohë. Emrat e tjerë janë impresionues që nga Hakimi, Mendesh, Markinjos, Fabian Ruiz, Nevesh, Dembele, Kvaratskhelia dhe Due ose Barkola.

Po Bajerni?

Kampionët e Gjermanisë do të ketë mungesa të rëndësishme. Serzh Gnabri ka mbyllur sezonin dhe ka humbur Kupën e Botës, i riu Karl po kthehet nga dëmtimi, por nuk mund të jetë gati sonte, dhe po ashtu edhe Bishof.

Sidoqoftë, lojtarë si Nojer, Musiala, Kimih, Luis Diaz apo Kejn, janë në apel. Gjermanët udhëtuan të qetë drejt Parisit, një udhëtim për fat i shkurtër, dhe thjesht u vendosën në hotel e provuan fushën e stadiumit, pa seancë stërvitore aty.

Bilanci mes dy ekipeve është në favor të francezëve me 9 fitore në Champions ndaj 6 të Bajernit, ndërsa PSG fitoi edhe çerekfinalen e Kupës së Botës për klubet verën e kaluar.



Skip to toolbar